Kriza institucionale në Kosovë, Elezi: Shkak, dalja e një mazhorance të brishtë nga zgjedhjet dhe mungesa e vullnetit politik

Kosovë | 1 vit më parë

Kosova po përballet me një krizë institucionale, pasi për të 21-tën seancë radhazi nuk është arritur të konstituohet Kuvendi, duke e lënë vendin pa institucione funksionale. Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ardian Elezi, tha në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH se kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së një mazhorance të qartë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe mungesës së vullnetit politik.

Sipas Elezit, rezultati i zgjedhjeve nuk ka prodhuar një shumicë të qëndrueshme që do të mundësonte formimin e Kuvendit.

“Kjo është një krizë që ka buruar për shkak të rezultatit të zgjedhjeve, rezultati i të cilave nuk ka mundësuar krijimin e një mazhorance që të mundësojë konstituimin e kuvendit të Kosovës nga e cila më pas rrjedhin të gjitha institucionet e tjera. Kjo vjen edhe si rrjedhojë edhe të mungesës së vullnetit politik mes gjithë aktorëve për shkak të skepticizmit dhe mungesës së besimit në historinë e marrëdhënieve gjatë qeverisjes së Kosovës. Kjo situatë ka çuar në një ngërç institucional. Kjo është edhe strategjia politike që ndiqet nga pozita dhe opozita që përdorin strategjinë e minutës së fundit që të testojnë dhe nervat e tyre në këtë lojë politike. Kjo është një situatë e padëshirueshme, e parë edhe në kushtet e sigurisë në tërësi, nuk është e lidhur vetëm me realitetin e brendshëm, në marrëdhëniet ndërkombëtare që afektojnë edhe dinamikat gjeopolitike”, tha Elezi.

Për ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare kjo krizë ka prodhuar efektet e saj, që ndikojnë jo vetëm në jetën e qytetarëve, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, sigurinë dhe dialogun me Serbinë.

Gjithashtu, shtoi Elezi, kjo situatë tregon dhe mungesën e një vakumi ligjor për të kapërcyer kriza të tilla.

“Kosova është në një presion ndërkombëtarë, ku nga SHBA dhe BE kërkohet stabilitet. Opozita bën lojën por kjo është kurriz të interesave të qytetarëve të Kosovës, por lojë bëjnë të gjitha palët këtu, ku testojnë durimin e tyre. Situata ka ardhur edhe për shkak të mosbesimit politik, ku Kurti ka treguar një lloj arrogance ndaj opozitës sot, por edhe vakumi ligjor dhe kushtetues për të parandaluar kriza të kësaj natyre. Besoj se negociata mes palëve dhe individuale ka, jam i pritur të besoj se marrëveshja do të arrihet. Kemi një bllokim të institucioneve dhe kjo reflektohet jo vetëm tek jeta e qytetarëve, por edhe në marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe dialogun me Serbinë. Kosova është me interes të rëndësishëm gjeostrategjik për faktorin perëndimor, por kërkohet arritja e stabilitetit, efektet janë të madha”, tha eksperti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme