Krizë besimi midis Uashingtonit dhe Tel Avivit, lufta në Iran rilind akuza për spiunazh ndërmjet aleatëve

Marrëdhëniet diplomatike dhe ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit po përballen me një valë tensionesh të reja. Sipas raportimeve nga mediat amerikane, të cilat citojnë burime konfidenciale nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA), Pentagoni ka ngritur Izraelin në kategorinë më të lartë të kërcënimit të kundër-zbulimit të brendshëm.
Megjithëse zyrtarisht Uashingtoni i ka denoncuar këto raporte dhe Tel Avivi i ka cilësuar akuzat si “plotësisht të rreme”, polemika ka sjellë në vëmendje mosbesimin historik në fushën e zbulimit elektronik dhe operativ ndërmjet dy aleatëve strategjikë.
Ekspertët ndërkombëtarë sugjerojnë se ky përshkallëzim i dyshimeve lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet e fundit ushtarake në Lindjen e Mesme, veçanërisht me luftën kundër Iranit dhe konfliktin në Liban. Raportohet se shërbimet izraelite të inteligjencës mund të kenë monitoruar zyrtarë të lartë të administratës amerikane, përfshirë të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes që ndjekin negociatat me Teheranin.
Divergjenca kryesore qëndron në qasjen strategjike: ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, synon një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, shihet nga Uashingtoni si më pak i angazhuar për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake.
Histori e gjatë e mbikëqyrjes reciproke
Praktika e spiunazhit midis vendeve partnere nuk është një fenomen i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Analistët e inteligjencës kujtojnë raste të ngjashme historike që kanë tronditur herë pas herë aleancat perëndimore.
“Spiunimi i miqve nuk është kurrë i pranueshëm,” pat deklaruar ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2013, ndonëse më vonë u vërtetua se edhe shërbimi gjerman BND kishte kryer operacione të ngjashme ndaj aleatëve.
Presioni diplomatik në prag të zgjedhjeve
Përtej vërtetësisë teknike të raporteve të DIA-s, nxjerrja e këtyre të dhënave në publik vlerësohet si një lëvizje e kalkuluar politike nga Uashingtoni. Ekspertët e mbrojtjes argumentojnë se për shkak të zgjedhjeve të mesit të mandatit (midterms) në nëntor, administrata Trump nuk mund të ndërmarrë hapa drastikë si ndërprerja e ndihmës ushtarake për Izraelin, pa dëmtuar mbështetjen e lobit pro-izraelit (AIPAC).
Në këto kushte, përdorimi i raporteve të kundër-zbulimit shërben si një instrument presioni diplomatik për të detyruar Tel Avivin të uli intensitetin e bombardimeve dhe të fillojë tërheqjen e trupave nga Libani jugor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




