Kroacia bllokoi pjeshkë nga Shqipëria, AKU: Produkti ishte për eksport, nuk është shpërndarë në tregun vendas
Pas bllokimit të një ngarkese me pjeshkë nga Shqipëria në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, për shkak të pranisë së nikelit mbi normat e lejuara, ka reaguar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Përmes sistemit evropian të sigurisë ushqimore RASFF, njoftuan për ndalimin e një ngarkese me 5562 kg pjeshkë me origjinë nga Shqipëria, për shkak të tejkalimit të kufirit të lejuar të përmbajtjes së nikelit.
Sipas njoftimit të AKU-së, menjëherë pas marrjes së alarmit nga autoritetet kroate, është kryer një inspektim në subjektin eksportues në Fier, ku rezultoi se produkti nuk ishte më në gjendje dhe se e gjithë sasia ishte eksportuar, pa hyrë në tregun vendas.
“Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie dhe nga verifikimi rezultoi se produkti nuk është shpërndarë në Shqipëri. Ngarkesa është asgjësuar në Kroaci pas rezultateve laboratorike”, thuhet në deklaratën zyrtare të AKU.
Autoriteti sqaron gjithashtu se rasti është referuar për ndjekje të mëtejshme në Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, për të marrë masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi.
AKU bën të ditur se ka përditësuar njoftimet përkatëse në sistemin RASFF, dhe po vijon bashkëpunimin me autoritetet evropiane për të garantuar sigurinë e zinxhirit ushqimor.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




