Kryebashkiaku i Himarës falënderon zjarrfikësit dhe institucionet për përballimin e zjarrit. Tavo: Do të jemi pranë çdo familjeje të prekur

Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, gjatë një takimi me emergjencat civile dhe trupën e zjarrfikësve, shprehu mirënjohjen e tij për punën e jashtëzakonshme të bërë në përballimin e zjarrit që goditi zonën ditë më parë.
Në fjalën e tij, Tavo theksoi se në momente të vështira, siç ishte rreziku nga flakët, shteti përfaqësohet nga njerëzit që gjenden në ballë të problemit, që punojnë, sakrifikojnë dhe shpesh rrezikojnë jetën e tyre për të mbrojtur të tjerët.
“Faleminderit me zemër çdo zjarrfikësi të Bashkisë Himarë dhe forcave zjarrfikëse të ardhura nga bashkitë që na ndihmuan. Puna e tyre gjatë atyre orëve të vështira ishte vërtet heroike,” u shpreh kryebashkiaku.
Ai falënderoi gjithashtu Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Policinë e Shtetit, Prefekturën e Qarkut Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Himarë, duke vlerësuar kontributin e tyre në koordinimin dhe mbështetjen e operacionit.
Mirënjohje u shpreh edhe për qytetarët e thjeshtë, burrat dhe gratë që dhanë ndihmën e tyre në përballimin e situatës, si dhe banorët që bashkëpunuan dhe iu përgjigjën pa panik thirrjeve për evakuim.
“Puna jonë vazhdon, për të qenë pranë çdo familjeje të prekur dhe për të rikuperuar dëmet e shkaktuara,” përfundoi Tavo, duke nënvizuar se bashkia do të vijojë të mbështesë komunitetin në rikuperimin pas fatkeqësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




