Kryebashkiaku i Stambollit në gjyq – Akuzohet për kërcënim ndaj prokurorit publik

Kryebashkiaku i burgosur i Stambollit, Ekrem Imamoglu, kundërshtari kryesor i Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, doli në gjykatë me akuzat për kërcënim ndaj prokurorit publik të qytetit. Seanca e së hënës nuk ka lidhje me akuzat për korrupsion për të cilat ai u arrestua në muajin mars.
54-vjeçari doli para gjykatës lidhur me komentet, të cilat dyshohet se kanë vënë në dyshim integritetin e kryeprokurorit publik të Stambollit Akin Gurlek. Ai përballet me akuza për kërcënim dhe fyerje të një zyrtari publik.
Seanca dëgjimore, e cila u zhvillua në burgun Silivri në periferi të Stambollit, ku Imamoglu mbahet që nga marsi, ishte shumë e shkurtër, pasi gjyqtari e shtyu atë për më 16 korrik. Prokurori kërkoi që Imamoglu të përballet me deri në shtatë vjet e katër muaj burgim raportuan mediat vendase.
“Një shtet i qeverisur nga sundimi i ligjit duhet të bazohet në drejtësi. Asnjë qytetar nuk duhet të ketë frikë ndërsa kërkon drejtësi. Një person duhet të ndihet i kërcënuar, jo kur shpreh mendimin e tij, por kur detyrohet të heshtë”, mësohet të ketë thënë Imamoglu para gjykatës.
“Nuk jam unë ai që po gjykohet, por çdo qëndrim i opozitës që nuk i pëlqen qeverisë, çdo fitore demokratike dhe vullneti i popullit”, tha 54-vjeçari.
Imamoglu, i cili u zgjodh kryetar bashkie i Stambollit në vitin 2019 dhe u rizgjodh në vitin 2024, u arrestua më 19 mars në lidhje me një hetim për korrupsion dhe akuza për lidhje me terrorizmin. Seria e akuzave kundër tij mund ta pengojë atë të marrë pjesë në garën presidenciale të vitit 2028. Arrestimi i tij shkaktoi demonstrata në të gjithë vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




