Kryemadhi: “Rrëmbimi” i Metës, hakmarrje personale e Yuri Kim. Në fushatë për presidentin e PL

Aktualitet | 2 vite më parë

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, pas paraqitjes në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, në një deklaratë për media sqaroi rolin e saj në fushatën zgjedhore, zhvillimet personale lidhur me divorcin me presidentin e PL-së Ilir Metën (aktualisht në burg), si dhe duke adresuar kritika të forta ndaj sistemit të drejtësisë dhe ish-ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim.

E pyetur për moralitetin e kandidimit të një personi nën hetim për korrupsion, Kryemadhi tha se: “Është e moralshme, në sistemin ku jemi sot. Drejtësia duhet të shërbejë për qytetarët, jo për hakmarrje politike.”

Ajo akuzoi ish-ambasadoren Kim si orkestruese të një hakmarrjeje personale ndaj Ilir Metës.

“Jam e bindur që rrëmbimi I Ilir metës është bërë me urdhër të një gruaje që ka pasur inat personal me Ilir Metën që sot është askushi Yuri Kim, e cila I premtoi parajsën mbi tokë Institucionit të drejtësisë dhe i dha mundësi Ramës që hakmarrjen personale e kryen perfekt me institucionin e drejtësisë. Ne nuk kemi kërkuar një drejtësi që të burgosë 300 apo 3 mijë vetë, por një sistem që garanton drejtësi për shqiptarët”, tha ajo.

Duke komentuar përplasjet e brendshme në Partinë e Lirisë, Kryemadhi i quajti “mercenarë” ata që janë aktualisht në borde pagese të partisë, duke theksuar se anëtarët e vërtetë duhet të votojnë për Ilir Metën më 11 maj. “Nuk ka rëndësi çfarë thonë mercenarët që kanë uzurpuar drejtimin. Në fund të ditës, vota është për Ilir Metën.”

Ajo shtoi se dalja e Metës në listë të hapur tregon një vendimmarrje të kthjellët politike për të bashkuar votën e opozitës, ndonëse e pranoi se kjo është një sfidë e madhe edhe për të personalisht.

Kryemadhi u shpreh se përfshirja e saj në fushatën elektorale të Ilir Metës është një vendim i ndërgjegjshëm, i ndikuar edhe nga prania e fëmijëve të tyre në çdo hap të saj gjatë takimeve me qytetarët.

“Patjetër që jam përfshirë në fushatë, ndoshta edhe më shumë, për shkak të fëmijëve tanë. Ata janë me mua kudo. I kam marrë si dëshmitarë në çdo takim. Sepse, kur stafi elektoral i zotit Meta thotë me paturpësi që Monika kërkon vota për PS-në, thjesht po justifikojnë paaftësinë e tyre për të shkuar derë më derë te qytetarët,” deklaroi ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme