Kryeministri britanik sfidon pakënaqësinë brenda partisë: Do iu tregoj se ata që dyshojnë tek unë e kanë gabim

Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me një valë pakënaqësie brenda Partisë Laburiste, pas rezultateve të dobëta të zgjedhjeve lokale të së enjtes (7 maj), dhe premtoi se do të qëndrojë në detyrë për të shmangur një krizë të re politike.
Një numër në rritje i deputetëve laburistë po e sfidojnë Starmer pas performancës më të dobët të partisë në më shumë se tre dekada. Ish-ministrja Catherine West njoftoi se nëse kabineti nuk arrin të vendosë për një zëvendësim, ajo mund të ndërmarrë hapa për zgjedhje të brendshme për pasardhësin e kryeministrit.
Në një fjalim sot, Starmer u përpoq të qetësonte situatën, duke thënë se “ndryshimi gradual nuk është i mjaftueshëm” dhe se ai është i vendosur të tregojë se ata që dyshojnë tek ai “e kanë gabim”. “Do të qëndroj për të sjellë ndryshimin për të cilin u zgjodh Partia Laburiste”, theksoi ai.
Starmer ka përballuar kritika për politikat e tij të imigracionit dhe për dështimin në rindërtimin e ekonomisë, si dhe për dorëheqjet e detyruara të ministrave dhe skandalin e emërimit të Peter Mandelson si ambasador në SHBA. Ai gjithashtu akuzoi Nigel Farage dhe partinë e tij Reform UK për “tradhti ndaj Britanisë” dhe për nxitje të përçarjes politike.
Kryeministri premtoi se qeveria laburiste do të punojë për të riforcuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, duke vendosur Britaninë “në zemër të Evropës”, dhe do të fokusojë një plan ambicioz për të rinjtë që të mund të punojnë, studiojnë dhe jetojnë në BE.
Ndërkohë, Starmer theksoi se ndryshimet e shpeshta të liderëve në parti, siç ka ndodhur me konservatorët, “i kanë kushtuar shumë vendit” dhe se ai nuk do të tërhiqet, pavarësisht pakënaqësive brenda partisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




