Kryeministri Fico në gjendje të rëndë, doktorët sllovakë duan ta lëvizin nga spitali

Europë | 2 vite më parë

Kryeministri sllovak, Robert Fico, në rrezik për jetën pas atentatit të së mërkurës, mund të transportohet drejt një spitali në kryeqytet për të vijuar kurimin e tij.

Fico mbetet në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme, dhe arrin të flasë pak, tha të enjten presidenti i zgjedhur Peter Pelegrini (o. Pellegrini).

Mediet lokale raportojnë se të hënën do të mblidhet një këshill mjekësor për të vlerësuar gjendjen e kryeministrit dhe do të vendosë a duhet të lëvizet nga qyteti qendror i Banska-Bistricës drejt Bratislavës.

Atentati ndaj Ficos ishte i pari ndaj një lideri europian prej më shumë se 20 vitesh.

Sipas kryeministrit hungarez, Viktor Orban, 59-vjeçari Fico ndodhet “midis jetës dhe vdekjes” dhe sikur ta rimarrë veten do i duhen muaj për t’u rikthyer në punë, teksa e gjithë zona euro bëhet gati për zgjedhjen e Parlamentit Europian muajin e ardhshëm.

Policia ka akuzuar 71-vjeçarin Juraj Cintula për ngjarjen, ish-rojën e sigurisë të një qendër tregtare, si edhe autor i tre librave me poezi. Si arsye për atentatin, Cintula ka listuar politikat e qeverisë ndaj Ukrainës, planet e saj për të reformuar radiotelevizionin publik dhe shkrirjen e zyrës së prokurorit special, i cili heton raste të nivelit të korrupsionit. /Reuters

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme