Kryeministri francez jep dorëheqjen, ndërsa Franca përgatitet për protesta masive

Kryeministri francez, François Bayro,u i ka dorëzuar dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron një ditë pasi parlamenti e rrëzoi qeverinë e tij. Macron tani do të duhet të emërojë një pasardhës, të shtatin kryeministër gjatë mandatit të tij presidencial.
74-vjeçari Bayrou pësoi një humbje dërrmuese pas votëbesimit të kërkuar prej për një tkurrje të buxhetit vjetor, që ai tha se ishte jetik për të mbajtur nën kontroll borxhin dhe deficitin në rritje.
Në Asamblenë Kombëtare, 364 deputetë u shprehën të hënën me votë se nuk kishin besim te qeveria, ndërsa vetëm 194 ishin në favor të planit të tij për të shkurtuar 44 miliardë euro nga shpenzimet shtetërore për vitin 2026.
Pallati Elize tha në një deklaratë se Macron do ta emërojë pasardhësin e Bayrou në ditët e ardhshme, duke hedhur poshtë çdo spekulim se presidenti mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme.
Dorëheqja e kryeministrit francez vjen para një proteste të paralajmëruar, që autoritetet presin të jetë e dhunshme dhe për të cilën Ministria e Brendshme ka njoftuar se do të vërë në shërbim 80 mijë policë dhe xhandarë.
Laurent Nunez, shefi i policisë së Parisit, tha se protesta, e cili filloi si një thirrje për të qëndruar në shtëpi dhe për të hequr dorë nga “sistemi”, është nismë e ekstremit të majtë.
“Është një lëvizje që në të vërtetë nuk ka asnjë organizator. Është një thirrje e përgjithshme për një mori veprimesh dhe ne mund të shohim se thirrja është marrë nga lëvizjet ekstreme të majta, të cilat po bëjnë thirrje për veprime mjaft të ashpra“, tha ai.
Edhe sindikatat kanë bërë thirrje për protesta masive dhe greva më 18 shtator.
Bruno Retailleau, ministri i brendshëm në largim i krahut të djathtë dhe kreu i partisë konservatore republikane, i bëri thirrje Macron ta emërojë sa më shpejt pasardhësin e Bayrou.
“Ne kemi nevojë për një kryeministër shumë shpejt, pasi nuk duhet të ketë një vakum pushteti përpara protestave”, tha ai.
Partia Socialiste ka njoftuar se është e gatshme të udhëheqë një qeveri të re, por nuk ka asnjë garanci se do të mbijetojë për një kohë të gjatë.
Jordan Bardella, udhëheqësi i Tubimit Kombëtar, e cili është partia më e madhe e opozitës, paralajmëroi se partia e tij do të rrëzojë çdo qeveri që nuk “shkëputet me politikën e tetë viteve të fundit me Macron” dhe konfirmoi thirrjen për zgjedhje të parakohshme legjislative.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




