Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese viziton në spital heroin sirian që rrezikoi jetën për të ndaluar sulmuesit gjatë masakrës në Bondi

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka vizituar në spital Ahmed al Ahmed, emigrantin sirian që u shndërrua në hero kombëtar pasi rrezikoi jetën për të ndaluar sulmuesit gjatë masakrës së të dielës në Bondi.
Ngjarja, e cila është cilësuar si sulmi më vdekjeprurës me armë në vend që nga viti 1996, la pas të paktën 15 të vdekur gjatë një eventi për festën e Hanukkah. Policia e ka klasifikuar zyrtarisht ngjarjen si një akt terrorist të drejtuar kundër komunitetit hebre.
“Zemra jote është e fortë. Ti je një hero australian,” i tha Kryeministri Albanese babait të dy fëmijëve, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. 43-vjeçari, pronar i një dyqani frutash, u qëllua disa herë në shpatull gjatë përleshjes fizike me një nga agresorët. Kryeministri konfirmoi se Ahmed do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale të mërkurën.
“Në një moment ku kemi parë të keqen të kryhet, ai shkëlqen si një shembull i forcës së njerëzimit. Ai përfaqëson më të mirën e vendit tonë,” deklaroi Albanese pas vizitës, duke e përshkruar Ahmedin si një njeri tejet të përulur.
Dëshmitarët okularë dhe pamjet filmike kanë zbardhur dinamikën e guximshme të 43-vjeçarit. Ai kishte dalë thjesht për të pirë një kafe kur u gjend në mes të të shtënave.
Në pamjet që kanë bërë xhiron e rrjetit, Ahmed shihet fillimisht duke u fshehur pas një makine të parkuar. Në një moment vendimtar, ai hidhet drejt personit të dyshuar si të armatosur, i rrëmben armën dhe ia drejton atij, duke detyruar agresorin të tërhiqet.
Më pas, në një gjest vetëpërmbajtjeje, ai ul armën dhe ngre dorën lart për t’i treguar policisë që po mbërrinte se ai nuk ishte kërcënim, por qytetar.
Babai i tij, në një prononcim për BBC, tha se i biri u shty nga ndërgjegjja: “Ai pa viktimat, gjakun, gratë dhe fëmijët në rrugë dhe thjesht veproi.”
Mbështetje globale
Gesti i Ahmed al Ahmed ka tejkaluar kufijtë e Australisë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vlerësuar publikisht guximin e tij. Ndërkohë, një miliarder amerikan, i prekur nga historia, i ka dhuruar rreth 65,000 USD duke e quajtur atë “hero të guximshëm”.
Ndërsa Australia vajton 15 viktimat e kësaj tragjedie, veprimi i Ahmed mbetet simboli i shpresës dhe unitetit në një nga ditët më të errëta të historisë moderne të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




