Kryeministri Netanyahu: Kundër një shteti palestinez, IDF do të mbetet në pjesën më të madhe të territorit

Botë | 1 vit më parë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar pak orë pas takimit të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Donald Trump në lidhje me një marrëveshje për luftën në Gaza.

Netanyahu deklaroi se IDF (Ushtria kombëtare e Izraelit) do të mbetet në pjesën më të madhe të territorit si pjesë e planit të hartuar me Trump, ndërsa theksoi se nuk pranon idenë e një shteti palestinez.

“Ishte një vizitë historike. Në vend që Hamasi të na çonte në izolim, ne i ndryshuam situatën dhe e izoluam Hamasin. Tani e gjithë bota, përfshirë botën arabe dhe myslimane, po i bën presion Hamasit që të pranojë kushtet që vendosëm së bashku me Presidentin Trump: të lirojë të gjithë të rrëmbyerit tanë – si të gjallë ashtu edhe të vdekur – ndërsa IDF mbetet në pjesën më të madhe të territorit”, deklaroi kryeministri izraelit.

I pyetur nëse kishte rënë dakord për një shtet palestinez gjatë vizitës së tij, Netanyahu u shpreh kundër kategorikisht kundër, ndërsa shtoi se me deklaratën e tij, u pajtua edhe presidenti Trump.

“Absolutisht jo, dhe as nuk është shkruar në marrëveshje. Por një gjë e thamë: ne jemi fuqimisht kundër një shteti palestinez. Presidenti Trump e tha gjithashtu këtë; ai tha se e kupton qëndrimin tonë. Ai deklaroi gjithashtu në OKB se një veprim i tillë do të ishte një shpërblim i madh për terrorin dhe një rrezik për shtetin e Izraelit. Dhe sigurisht, ne nuk do të pajtohemi me të”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme