Identiteti Digjital gati në 2026-ën, Rama: Shqipëria, 1 vit para BE-së. Informaliteti do të reduktohet maksimalisht

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të platformës që synon modernizimin teknologjik, deklaroi se Shqipëria do të jetë një vit para Bashkimit Evropian në pajisjen me Identitetin Digjital.

Ky objektiv, theksoi kreu i qeverisë, shënon bazën e një kapërcimi tjetër të madh dhe pritet të jetë gati në fillim të vitit 2026, një vit përpara se me këtë shërbim të pajisen edhe vendet anëtare të BE-së.

“Baza e një kapërcimi tjetër të madh dhe një projektimi në të ardhmen falë teknologjisë. Faktikisht, në dijeninë time, çfarë po demonstrohet sot, do jetë në dispozicion të publikut, të raportimi i qytetarit dhe shtetit dhe ekonomisë sonë në fillim të 2026-ës. BE po ashtu po përgatitet për Identitetin Digjital dhe objektivi i shpallur i BE është që në 2027 qytetarët e BE të pajisen me identitetin e tyre digjital.

Ne do jemi një vit më parë. Rikujtoj se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon atë dhe i drejtohet asaj për të kapërcyer pengesa historike, është përparësi e jashtëzakonshme që unë e quaj bekim të kësaj kohe. Falë AI vendet Mund të imagjinojnë të kapërcejnë epoka që përndryshe do kishin të pamundura për tu kapërcyer me shpejtësi”, deklaroi Rama.

Ai përsëriti edhe njëherë prioritetin për krijimin e një akseleratori që do jetë në mbështetje të ministres virtuale “Diella”, e cila sipas tij do të prekë të gjithë sektorët dhe do vërë në dispozicion të qeverisë zgjidhje dhe opsione për çdo sektor.

“Identiteti digjital është një instrument i domosdoshëm për të realizuar planin tonë të kalimit nga paratë kesh në transaksionet digjitale dhe kjo do të thotë shumë më tepër siguri për konsumatorët. Kjo do të thotë shumë më tepër transparencë për biznesin dhe kjo do të thotë shumë më tepër të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit dhe që në një masë të madhe mbetet jashtë duarve të tij për shkak të informalitetit dhe për shkak të trukeve të ndryshme që do reduktohen maksimalisht, në mos do të asgjësohen plotësisht falë transaksioneve digjitale, që është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar,” theksoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme