Kthimi i çështjes, GJKKO urdhëron SPAK-un të marri në hetim deputetin e PD-së, Arjan Ndoja, për fshehje pasurie

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) mori vendim sot, që të refuzojë kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për të pushuar procedimin penal ndaj deputetit të Partisë Demokratike dhe ish-prokurorit, Arjan Ndoja. Lajmi bëhet publik nga gazetarja e RTSH 24.
Trupi Gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela, vendosi të konstatojë pavlefshmëri absolute të kërkesës së Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila synonte pushimin e hetimeve.
Si pasojë, GJKKO ka kthyer aktet pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke e cilësuar atë si prokurorinë kompetente për të vazhduar hetimet ndaj deputetit.
Dyshimet për pastrim parash dhe fshehje pasurie
Arjan Ndoja dyshohet për dy vepra të rënda penale:
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur”.
Procedimi penal, i regjistruar në vitin 2023, tani i kalon në dorë ekipit të hetimit të SPAK-ut.
Shkaqet ligjore të vendimit
Vendimi i GJKKO-së i datës 14 Nëntor 2025, që thekson se pavlefshmëria e kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, bazohet në kompetencën lëndore. Meqenëse Ndoja është person i zgjedhur (deputet), dhe akuzohet për vepra të lidhura me korrupsionin dhe pasurinë, çështja duhet të hetohet dhe gjykohet nga institucionet e Posaçme.
“Gjykata vendosi kthimin e akteve që i përkasin procedimit penal nr. 1804 te vitit 2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të vazhduar hetimet si prokuroria që ka kompetencën lëndore,” thuhet në njoftimin e GJKKO.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda afatit 15-ditor.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




