Kuko: “Plani i Rritjes” i jep frymëmarrje Ballkanit Perëndimor. Shqipëria progres të jashtëzakonshëm në procesin e integrimit
Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, ka komentuar në emisionin “Tema e Ditës” me gazetarin Arbër Hitaj samitin e zhvilluar sot në Tiranë, duke e cilësuar si një moment të veçantë për Shqipërinë dhe rajonin.
Ajo ka theksuar rëndësinë e “Planit të Rritjes” të Bashkimit Europian, i cili sipas saj i jep një frymëmarrje të re Ballkanit Perëndimor dhe e pozicionon Shqipërinë si një vend me orientim të fortë euro-atlantik.
Deputetja Kuko deklaroi se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në procesin e integrimit europian, duke e konsideruar mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 si një objektiv të arritshëm.
Sipas Kukos, situata gjeopolitike e Shqipërisë është shumë më e favorshme se vite më parë, gjë që e ndihmon vendin të ecë me ritme më të shpejta drejt integrimit.
Sipas saj, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka ruajtur stabilitetin dhe orientimin e qartë drejt Perëndimit.
“Plani i Rritjes” tha se Shqipëria me kalimin e viteve është i vetmi vend stabil në drejtimin e saj Euro-Atlantik në Ballkan dhe është i vetmi vend që ka një orientim të fortë drejt Perëndimit. Nuk duhet harruar askund që Shqipëria konsiderohet një platformë shumë solide përsa i përket drejtimit perëndimor të Ballkanit.”
Ajo e cilësoi samitin si një ngjarje të veçantë, pasi për herë të parë flitet për projekte konkrete dhe investime të BE-së në rajon.
“Kemi pasur samite politike ku janë diskutuar çështje politike, çështje bilaterale, mesazhe që lëshohen në mënyrë që të markohet procesi i integrimit europian, si për liderët apo popujt e Ballkanit, por samiti i ‘Planit të Rritjes’ ka të bëjë me projekte konkrete. Në momentin ku ndodhemi BE-ja ka vendosur në dispozicion një paketë rritje për Ballkanin sepse janë disa kritere që kërkojnë dhe investim të posaçëm.”
Sipas Kukos, kjo paketë financiare është një mundësi e madhe për Shqipërinë, e cila duhet të tregojë aftësi për të përthithur projektet e reja.
“Është një plan rritje pozitiv sepse i jep frymarrje Ballkanit Perëndimor por dhe Shqipërisë që fiton një pjesë të madhe të kësaj pakete. Paketa financiare bazohet mbi konkurrueshmërinë dhe vendet që janë të afta për të përthithur projekte.”
Deputetja vuri në dukje se strukturat e reja të krijuara, si Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europës dhe roli i kryenegociatorit, kanë lehtësuar procesin e integrimit dhe e kanë rritur Shqipërinë në klasifikim.
“Në këtë moment që ne hyjmë tek Plani i Rritjes, Shqipëria duhet të tregohet shumë e aftë për të përfituar nga këto projekte konkrete dhe me strukturat e reja që ajo ka, pra modifikimi i strukturave si në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Europës, pasja e një kryenegociatori që është qendra e këtyre projekteve, ka krijuar lehtësi dhe kjo do të thotë që Shqipëria është rritur në klasifikim.”
Duke e lidhur procesin e integrimit me situatën gjeopolitike, Kuko kujtoi se edhe vendet e tjera në të kaluarën janë përfshirë në BE për arsye strategjike.
“Që nga fillimet e viteve ’80, vende si Greqia dhe Spanja u përfshinë në BE, jo se kishin një interes specifik për Bashkimin Europian, por Greqia sapo dilte nga një juntë ushtarake. Dhe Spanja për arsye strategjike që duhej të ishte brenda Unionit. Dhe zgjerimi që u bë në 2004 përkonte dhe me zgjerimin e NATO-s në ato vende.”
Deputetja socialiste shpjegoi gjithashtu procesin e hapjes së kapitujve të negociatave, duke theksuar se nuk ka të bëjë thjesht me plotësimin e formularëve, por me përmbushjen e standardeve të kërkuara nga vendet e BE-së.
“Procesi i hapjes së grupkapitujve nuk ka të bëjë thjesht me plotësimin e formularëve por ka të bëjë me plotësimin e standardeve të kërkuara në vendet e BE-së.”
Ajo zbuloi se ekipi i Grupit Negociator përbëhet nga të paktën 1 mijë persona, të cilët punojnë çdo ditë për arritjen e këtyre standardeve.
“Në këtë kontekst, deputetja socialiste zbuloi se ekipi i Grupit Negociator që punon intensivisht për arritjen e këtyre standardeve të kërkuara janë të paktën 1 mijë persona. Çdo ministri ka një staf dhe një drejtues për kapitujt dhe këta drejtues kanë një staf të tërë për gjithë institucionet e vartësisë të cilët merren në mënyrë të përditshme me këtë detyrë..”
Deputetja socialiste Romina Kuko e konsideroi mbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2027 si një objektiv të arritshëm për Shqipërinë.
Ajo theksoi se puna e deritanishme dhe angazhimi i strukturave negociatore e bëjnë këtë afat realist dhe të realizueshëm.
“Mbyllja e negociatave në 2027 është një objektiv i arritshëm”, u shpreh Kuko.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




