Kultura tërheq vizitorët në Sarandë, muzetë dhe Galeria e Arteve mirëpresin turistë edhe në vjeshtë

Kulturë | 1 vit më parë

Në Sarandë, përveç plazheve dhe peizazhit magjepsës, gjithnjë e më shumë vizitorë po zbulojnë një tjetër anë të qytetit  atë kulturore. Muzeu i Traditës, Muzeu Arkeologjik dhe Galeria e Arteve përbëjnë një “trekëndësh kulture”, që po tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj edhe në këto ditë të vjeshtës.

“Është kënaqësi të shohësh sa shumë kulturë ofron Saranda. Nga objektet e lashta në Muzeun Arkeologjik te veprat moderne në Galerinë e Arteve, gjithçka të bën të ndihesh pjesë e një historie të gjallë. Këtu ndien se turizmi nuk mbaron me verën, por vazhdon gjatë gjithë vitit.”, deklaroi një prej vizitorëve për mikrofonin e RTSH.

“Sarandën e njihnim për plazhet dhe detin e bukur, por këtu zbuluam një pjesë krejt tjetër të qytetit. Muzeumet dhe galeria na treguan historinë, traditën dhe artin e banorëve vendas. Është një përvojë që të afron me shpirtin e vërtetë të këtij vendi.”, tha një tjetër vizitore.

Tre institucionet kulturore ofrojnë një udhëtim unik në historinë, artin dhe identitetin e Sarandës. Muzeu i Traditës prezanton mënyrën e jetesës së banorëve të dikurshëm, Muzeu Arkeologjik sjell dëshmi të çmuara nga periudha antike, ndërsa Galeria e Arteve është hapësira ku bashkëjetojnë arti bashkëkohor dhe ai tradicional.

Sipas specialistes së trashëgimisë kulturore, Elda Koçi, pritshmëritë janë që edhe në muajt në vijim numri i vizitorëve të mbetet i lartë, si nga turistët vendas ashtu edhe nga të huajt. Ajo thekson se interesimi për kulturën e qytetit po rritet ndjeshëm vit pas viti.

“Turizmi sidomos pjesa e kroccereve ëhstë në vazhdueshmëri dhe s’do ketë mbyllje. Tursitët dinë se ku venë sepse janë të mirëinformuar’, tha ajo.

Kështu, Saranda po e forcon gjithnjë e më shumë identitetin e saj si një qytet që nuk ofron vetëm turizëm bregdetar, por edhe një trashëgimi të pasur kulturore e artistike. “Trekëndëshi” i muzeve i traditës, arkeologjisë dhe artit po kthehet në një destinacion që bashkon historinë, krijimtarinë dhe shpirtin e qytetit, duke i dhënë Sarandës një jetë të re.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme