Kumbaro në Shëngjin: 50% e plazheve, publike. Deri në mbyllje biznesi për shkelësit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka vijuar në Shëngjin takimet në bashkitë bregdetare, nga ku ka deklaruar se 50% e plazheve në rang kombëtar janë publike, me përjashtim të disa bashkive, sikurse Shkodra.
E teksa u shpreh se Lezha është model sa i përket menaxhimit të plazheve, Kumbaro shtoi se sfidë mbetet rritja e flukseve dhe shtimi i hapësirave publike. Në lidhje me këto të fundit, Kumbaro paralajmëroi për shkelësit, gjobë dhe deri në mbyllje të bizneseve.
“Me rregulloren e re, jo vetëm që kemi shtuar sipërfaqen e detyrueshme të plazheve, 30% dhe 100 metra plazh publik në çdo kilometër vijë bregdetare, por bashkitë sivjet kanë shtuar në hartat e bëra në shtator edhe hapësirat publike, për shkak se mundësinë për plazhe private nga ky vit ua japim vetëm subjekteve të cilat kanë një hotel. Nuk mund të jenë shezlongët dhe çadrat biznes kryesor. Në llogaritë që po bëjmë tani, rreth 50% të plazheve në nivel kombëtar i kemi publike. Në disa bashki, si Shkodra, shkon edhe mbi 60%. Nga viti në vit ne përmirësojmë edhe shërbimin publik, qoftë nga bashkia qoftë nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit me të cilën kemi dyfishuar forcat për të bërë pastrimin e vijës së plazheve në gjithë bregdetin, me përjashtim të bashkisë Lezhë e cila ka krijuar një model të vetin të mirëmbajtjes dhe pastrimit të plazheve”, shpjegoi ministrja Kumbaro.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, sqaroi modelin e menaxhimit publik të disa prej plazheve nga ana e bashkisë: “Bashkia ka vendosur çadra për të gjithë pushuesit që dëshirojnë të marrin në shërbim shezlongë kundrejt një pagese të përballueshme dhe duke prerë kuponin tatimor, krahas hapësirave publike për pushuesit që kanë çadrat e tyre.”
Kumbaro u takua edhe me përfaqësues të Policisë së Lezhës ku e vlerësoi shumë të rëndësishëm komunikimin dhe bashkëpunimin për mbarëvajtjen dhe sigurinë e sezonit turistik.
“Ne do të kemi nevojë për mbështetjen e Policisë së Shtetit sidomos në dy aspekte, zaptimin e plazheve dhe sfidën me pastërtinë. Kushdo që shkel rregullat për mirëmbajtjen e mjedisit, përveç policisë bashkiake për aplikimin e gjobave, vërejtjeve e deri në mbyllje të biznesit, do të kemi në krah edhe Policinë e Shtetit, sepse është viti me fluksin turistik më të lartë që ne kemi pasur ndonjëherë”, tha ministrja Kumbaro.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




