Kumbaro takim me Drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s: Bashkëpunim për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë dhe programin pas shkolle

Aktualitet | 7 muaj më parë

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s, Khaled El-Enany, në kuadër të agjendës së saj të takimeve të nivelit të lartë në kryeqytetin francez.

Gjatë takimit, Kumbaro theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me UNESCO-n në mbështetje të reformave në arsim, veçanërisht për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë dhe zhvillimin e kërkimit shkencor. Ajo nënvizoi gjithashtu se programi pas-shkollor në Shqipëri përputhet me prioritetet e UNESCO-s për edukimin e fëmijëve përmes artit, kulturës dhe artizanatit, në një kohë kur sfidat e teknologjisë kërkojnë qasje të reja në mësimdhënie.

“Në selinë qendrore të UNESCO-s, një ritakim i shumëpritur me detyra të reja me mikun e hershëm, Drejtorin e Përgjithshëm Khaled El-Enany, ish-ministër i Kulturës dhe Turizmit të Egjiptit, i cili tashmë ka nisur misionin në krye të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Diskutuam për koordinimin dhe bashkëpunimin në kuadër të reformave që po ndërmarrim, veçanërisht për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë dhe forcimin e kërkimit shkencor. Po ashtu programi pas-shkollor gjeti përkim të plotë me prioritetet e UNESCO-s për edukimin e fëmijëve përmes artit, artizanatit dhe kulturës, në një kohë sfidash të reja nga zhvillimet teknologjike”, është shprehur Kumbaro.

Ministrja Kumbaro ftoi Drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s për një vizitë zyrtare në Shqipëri, me synimin për të thelluar bashkëpunimin në fusha kyçe si arsimi, kërkimi shkencor, trashëgimia kulturore, mjedisi dhe biodiversiteti.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, duke shprehur gatishmërinë e organizatës për të mbështetur më tej vendin në fushat e mësuesisë, transformimit digjital dhe edukimit mediatik.

Vizita e Ministres në Paris zhvillohet në kuadër të një agjende të gjerë ndërkombëtare, ku po merr pjesë në aktivitetet e organizuara nga UNESCO për prezantimin e Raportit Global të Monitorimit të Arsimit 2026, me pjesëmarrjen e ministrave të arsimit nga e gjithë bota.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme