Kursi i kuzhinës në Gjirokastër, frekuentim i lartë nga të gjitha moshat
Kursi i kuzhinës në Qendrën e Formimit Profesional në Gjirokastër vazhdon të marrë interesin e moshave të ndryshme, por kryesisht të të rinjve. Të interesuarit mësojnë më shumë rreth mënyrës së gatimit të recetave klasike e tradicionale.
Pajisja me certifikatë u jep atyre mundësi të ushtrojnë këtë profesion në restorante që kanë nevojë për punonjës të kualifikuar apo dhe të vetëpunësohen me hapjen e bizneseve të tyre.
“Jam një amvisë me 35 vjet në martesë dhe prapë kam pasur qejf ta bëj këtë kurs për të mësuar më shumë. Po më duhet dhe pikërisht në këtë moment të vështirë të jetës time për të punuar diku dhe ku ka më mirë se këtu sepse merr certifikatë që më ka munguar”, tha një kursante.
“Kam në kuzhinë. Shpresoj pas një kursi që të gjej një punë të jem më rehat dhe për fëmijët e mi dhe për familjen time”, u shpreh një tjetër.
Instruktori Besnik Hoxha shprehet se në tre muaj, pjesëmarrësit mund të marrin njohuritë që i nevojiten për ta ushtruar profesionin e kuzhinierit.
“Nuk ka dallim moshe, disa njerëz vijnë për të hapur bujtina për vete, disa të punësohen, disa të mësojnë për të gatuar e për të përmirësuar gatimin në familje. Moshat janë të ndryshme që nga 17 vjeç deri në 50, 55 vijnë mosha të ndryshme”, tha Hoxha.
Qendra e formimit profesional në Gjirokastër ofron mbi 40 kurse. Që prej janarit deri në qershor janë regjistruar afro 450 persona.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




