Kurti me kryeministrin e Luksemburgut: Mbështetja prej 50 mln euro, përkushtimin ndaj forcimit të kapaciteteve institucionale të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Komitetit Politik Evropian, zhvilloi një takim bilateral me Kryeministrin e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Luc Frieden.
Gjatë takimit Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës, duke veçuar kontributin e çmuar në sektorin e shëndetësisë dhe fusha të tjera kyçe të zhvillimit.
Ai falënderoi veçanërisht për mbështetjen e fundit prej 50 milionë eurosh, i cili dëshmon përkushtimin e Luksemburgut ndaj forcimit të kapaciteteve institucionale dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
“Bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet strategjike të Kosovës në raport me integrimin evropian. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e avancimit të mëtejmë në këtë proces, përfshirë kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit.
Në përmbyllje, kryeministri në detyrë Kurti falënderoi homologun e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke riafirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimin në forume shumëpalëshe me interes të përbashkët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




