Kurti pret Stipe Mesiçin, bisedojnë për rritjen e bashkëpunimit Kosovë-Kroaci

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur sot ish-presidentin e Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiç.
Në këtë takim Kurti dhe Mesiç diskutuan mbi zhvillimet aktuale, me theks të veçantë mbi bashkëpunimin në rritje ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Përmes një njoftimi të Kryeministrisë së Kosovë, bëhet e ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e çmuar të presidentit Mesiç, i cili jo vetëm gjatë fundviteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90 doli publikisht në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, por edhe më vonë, nga pozita e Presidentit të Kroacisë, ai dha mbështetje të palëkundur për përpjekjen tonë për liri dhe pavarësi.
“Në këtë takim të përzemërt, u evokuan momente të rëndësishme të dy popujve dhe u diskutua për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë mbi bashkëpunimin në rritje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë. U theksua rëndësia e thellimit dhe zgjerimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat, e posaçërisht në atë të mbrojtjes dhe sigurisë. U konstatua që gjendja në rajonin e Ballkanit është shumë më e mirë se para tri dekadave, por edhe që disa probleme janë të vjetra nga ajo kohë”, thuhet në njoftim.
Zyra e kryeministrit të Kosovës shpejgon më tej se “për kontributin e tij në mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të popullit tonë në periudha vendimtare historike, presidenti Mesiç, së fundmi, mori titullin ‘Qytetar Nderi i Gjilanit’.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




