Kurti: Serbia vazhdon të kërcënojë sigurinë kombëtare të Kosovës

Kosovë | 1 vit më parë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të edicionit të 8-të të Konferencës së Ambasadorëve, deklaroi se përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit mbeten një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.

Kurti akuzoi Serbinë se po përdor miliona euro për lobim dhe propagandë në mbarë botën, duke shpërndarë “mesazhe të rreme” kundër Kosovës.

“Përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë, vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë tonë kombëtare me miliona të shpenzuara për lobimin dhe komunikimin botëror, lufta propagandistike e Serbisë në bashkë po i gurësohet nga dita në ditë, duke e shpërndarë në mënyrë sistematike, në çdo skaj të botës, mesazhe të rrejshme. Duke marrë parasysh këtë klimë sfiduese, botërore dhe rajonale, veprimtaria juaj si përfaqësues të Kosovës është jetike për afirmimin e vendit tonë”, tha Kurti.

Kurti theksoi se Kosova ka sot rrjetin diplomatik më të gjerë në historinë e saj, ku përfshin 34 ambasada, 12 konsullata të përgjithshme, 4 konsullata të posaçme dhe 1 zyrë ndërlidhëse, duke nisur nga rajoni e deri te shtetet e largëta si Australia, Japonia, Panamaja dhe Senegali.

“Kjo shpërndarje e gjerë e përfaqësive, e cila është shpërndarja më e gjerë në historinë e Republikës sonë, përbën njëkohësisht edhe avantazh, edhe sfidë. Avantazhi është se i mundëson shtetit tonë që të ketë 53 zëra nëpër botë duke shtyrë përpara interesat më të rëndësishme të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Ndërkaq, sfida kryesore është se si të gjejmë një mënyrë që të gjithë këta zërat tuaj të mos funksionojnë të pa ndërlidhur me njëri-tjetrin, por në harmoni të plotë, si një kor i vetëm me Ministrinë këtu në Prishtinë, në rolin e dirigjentit”, tha Kurti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme