Kurti u bën thirrje mërgimtarëve të regjistrohen për të votuar: Komunat do të jenë shembull i mirëqeverisjes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke theksuar se angazhimi i tyre është thelbësor për procesin demokratik dhe për mirëqeverisjen nëpër komuna.
Në një mesazh drejtuar diasporës, Kurti vuri në dukje rolin e rëndësishëm që mërgata ka luajtur historikisht në proceset zgjedhore të vendit.
“Tani, me zgjedhjet lokale që po afrojnë, le t’i bëjmë komunat anembanë Kosovës shembull të qytetarisë, të zhvillimit dhe të qeverisjes sonë të mirë,” u shpreh ai.
Kurti theksoi se afati i regjistrimit për votuesit jashtë vendit skadon më 29 gusht, duke i nxitur ata të mos e shtyjnë këtë proces. “Mos e lini për nesër, regjistrohuni tani,” tha ai.
Sipas kryeministrit, vota e diasporës është vendimtare për të larguar nga pushteti “klanet dhe ata që i shohin komunat si pronë private” dhe për të sjellë në krye të tyre “njerëz të ndershëm e të përkushtuar që punojnë për qytetarët.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




