Kushtetuesja pranon kërkesën e Begajt, deklaron mbarimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e paraqitur nga kreu i shtetit, Bajram Begaj për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja.Në vlerësimin e saj Gjykata vëren se mandati kushtetues i “gjyqtares Sonila Bejtja përfshihet në “mandatet e tjera” që i përkasin regjimit tranzitor të mandateve të gjyqtarëve kushtetues”.
“Gjykata vëren, fillimisht, bazuar në qëndrimin e saj në vendimin nr. 60, datë 16.10.2025, se mandati kushtetues i gjyqtares Sonila Bejtja përfshihet në “mandatet e tjera” që i përkasin regjimit tranzitor të mandateve të gjyqtarëve kushtetues të emëruar/zgjedhur pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, kohëzgjatja e të cilave, sipas përmbajtjes së pikës 3 të nenit 179 të Kushtetutës, rregullohet sipas skemës kohore të përtëritjes sipas nenit 86, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000 dhe i përket përtëritjes së parë me një të tretën, e cila kryhet në vitin 2025. Për rrjedhojë, ky mandat mbaron në vitin 2025”, thuhet në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash ka vendosur “deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Sonila Bejtja, në datën 25.04.2025, njoftimin e presidentit të Republikës së Shqipërisë si organi i emërtesës, njoftimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




