Kuvend, Gjekmarkaj: Paratë shkojnë për tendera, ndërsa qytetarët përmbyten

Politikë | 12 muaj më parë

Gjatë diskutimeve në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2026, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka lëshuar akuza ndaj qeverisë, duke e cilësuar ndarjen e fondeve si thellësisht diskriminuese dhe braktisje totale për veriun e Shqipërisë.

Gjekmarkaj, i cili mban edhe postin e drejtuesit politik të qarkut të Lezhës, u shpreh se qytetarët e kësaj zone po paguajnë çdo ditë koston e një planifikimi financiar të padrejtë.

“Qytetarët e veriut po e paguajnë çdo ditë koston e një buxheti të padrejtë, të pabarabartë dhe të pabazuar, pasi është pak gjenocidal si buxhet në raport me veriun,” deklaroi ai në foltoren e Kuvendit.

Përmbytjet si pasqyrë e keqmenaxhimit

Duke marrë shkas nga situata e rënduar nga reshjet e fundit, deputeti demokrat solli në vëmendje përmbytjet në zonat e Mamurrasit, Zejmenit dhe Pllanës. Sipas tij, dëmet kolosale në banesa dhe biznese nuk janë pasojë e natyrës, por e mungesës së investimeve në infrastrukturën mbrojtëse.

“A është normale që në vitin 2025 një qytet i tërë si Mamurrasi të përmbytet me një rrebesh mesatar? Kjo është prova e gjallë se qeveria nuk ka menduar asnjë ditë për hidrovorët dhe kanalet vaditëse,” tha Gjekmarkaj, duke akuzuar se paratë publike janë shpenzuar në tendera të fryrë për projekte inekzistente.

Ai denoncoi specifikisht rastin e Zejmenit, ku sipas tij, pavarësisht investimeve qindra mijëra euroshe në rrjetin elektrik, zona vijon të jetë në errësirë.

“Ku shkuan ato para? Kush i mori? Kjo qeveri nuk jep as përgjigje, as zgjidhje,” theksoi ai.

Mungesa e infrastrukturës dhe braktisja e sektorëve kyç

Gjekmarkaj u ndal gjithashtu te infrastruktura rrugore dhe sektorët ekonomikë. Ai e cilësoi aksin rrugor Milot-Balldren si një “ferr të vërtetë” për drejtuesit e mjeteve gjatë gjashtë muajve të vitit dhe kritikoi mungesën e çdo plani për ta lidhur veriun me pjesën tjetër të vendit apo me rajonin.

Kritika të forta u adresuan edhe për bujqësinë dhe turizmin.

Sipas deputetit, fondet IPARD kanë përfunduar te “miqtë e pushtetit”, duke lënë fermerët e thjeshtë pa asnjë mbështetje.

Ai ngriti shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore në Shëngjin dhe Tale për shkak të emigrimit masiv, fenomen për të cilin buxheti nuk ofron zgjidhje, por vetëm “fonde për spote televizive”.

Buxhet fasadë

Në mbyllje të fjalës së tij, Gjekmarkaj e konsideroi projektbuxhetin jo si një plan për qytetarët, por si një mjet për të mirëmbajtur pushtetin.

“Ky buxhet është një instrument i pushtetit për të mbajtur fasadën e një vendi që po ecën përpara. Veriu meriton buxhet të drejtë,” përfundoi deputeti demokrat.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme