Kuvend- I hapet rruga 11 komisioneve parlamentare për të nisur punën. Opozita kërkon mocion me debat për programin e qeverisë

Politikë | 1 vit më parë

Kuvendi u mblodh në seancë plenare këtë të hënë (29 shtator), ku me miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, kur u votua përbërja e 11 komisioneve parlamentare, i hapet rruga këtyre komisioneve për të nisur nga puna.

Ndërkohë, opozita ka kërkuar mocion me debat lidhur me programin e qeverisë. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha se ata po ashtu kërkojnë vijimin e procedurave për kërkesën e tyre për shkarkimin e kreut të Kuvendit, Niko Peleshi. Për komisionet parlamentare, Tabaku akuzoi se Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale po merr përgjegjësitë e komisioneve të tjera parlamentare.

“Grupi parlamentar i PD ka kërkuar mocion me debat sa i përket diskutimit të programit të qeverisë, mocion për kryetarin e Kuvendit, por dhe një inteprelancë për prioritetet e qeverisë për procesin e integrimit. Duhet të fokusohemi te kërkesat që u diskutuan edhe në Konferencën e Kryetarëve. Ne patëm një debat për përgjegjësinë e komisioneve parlamentare. Komisionet parlamentare të cilët janë vendosur një raportim në komisionin përgjegjës dhe komisionin për monitorimin për institucioneve të pavarura është antikushtetuese dhe kundër rregullores së kuvendit. Komisioni përgjegjës mban përgjegjësi për raportimi e institucioneve, nuk ka disa komisione të privilegjuara dhe disa të dorës së dytë, të gjithë komisionet parlamentare janë të gjithë njësoj. Ky policimi i Kuvendit me një komision që e keni sajuar për t’i gjetur punës Xhafës, nuk duhet të marrë përgjegjësinë e komisioneve të tjera parlamentare”, u shpreh Tabaku.

Deputeti Flamur Noka akuzon maxhorancën se po zhvillon seanca “sa për të thënë”

“Ju po talleni me këtë Kuvend dhe me shqiptarët. Seanca përçudnuese 5-minutëshe që i zhvilloni sa për të thënë që ka seancë, ndërkohë që presim që kryeministri të flasë për programin e qeverisë. T’u thonë shqiptarëve se çfarë kanë ndërmend të bëjnë. Zhvilloni seancë pas seance sa për të thënë”, theksoi Noka.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla e konsideroi si “të paprecedentë” debatin në sallë para votimit të procesverbalit të seancës së kaluar.   

“Kemi mbi 20 minuta që dëgjojmë diskutantë që nuk kanë thënë asnjë fjalë për fjalimin e tyre historik në seancën e kaluar. Nuk ka patur diskutime të kësaj natyre në këtë pikë të rendit të ditës. Diskutimet e për procedurë merren pas miratimit të procersverbalit të seancës së kaluar. Duhet t’i japim fund këtij standardi të çuditshëm që Kuvendi të fillojë me debat për procesverbalin, kur kjo është pika më e rregulluar e Kuvendit”, u shpreh Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme