Kuvend/ RTSH raporton punën njëvjeçare, Vasili: Media Publike në reformim të mbështetur nga EBU
Radio Televizioni Shqiptar, në veprimtarinë vjetore të vitit 2020 që përkon me hyrjen në një fazë të rëndësishme të transformimit të institucionit publik me lidershipin e EBU-së, prezantoi disa nga rezultatet në Komisionin e Mediave.
Kryetari i Këshillit, Fatjon Hoxhalli, paraqiti të dhëna të detajuara financiare dhe rekomandimet nga Kuvendi.
“Gjatë vitit 2025, të ardhurat e institucionit arritën rreth 2.3 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale rezultuan afërsisht 2.5 miliardë lekë. Kjo situatë krijoi presion mbi kapacitetin financiar dhe kufizoi mundësitë për investime. Të ardhurat u realizuan në masën 86.7% të planit vjetor. Në fund të vitit 2025 detyrimet e RTSH-së ndaj palëve të treta ishin 374 milionë lekë.”
Drejtoresha e përgjithshme, Eni Vasili, u ndal tek sfidat me të cilat po përballet RTSH, duke theksuar se interpretimi i tyre është në përputhje me zgjedhjen e EBU-së.
“Në kuadër të këtij reformimi dhe modernizimi të Radio Televizionit Shqiptar, gjatë periudhës tetor-dhjetor 2025, Bashkimi Evropian i Transmetuesve realizoi një raport të pavarur institucional. Raporti vlerëson se RTSH vijon të mbetet institucioni kryesor mediatik i shërbimit publik në vend, me rëndësi të veçantë për informimin, edukimin, promovimin e kulturës kombëtare dhe shërbimin ndaj diasporës shqiptare. Raporti arrin në përfundimin se ambicia institucionale e RTSH-së ka tejkaluar kapacitetet aktuale operacionale dhe se modeli ekzistues i organizimit nuk është më i përshtatshëm për sfidat e mediave publike. Në aspektin editorial dhe të zhvillimit të audiencës, EBU vlerëson se RTSH gëzon besueshmërinë dhe rol të rëndësishëm publik.”
Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme, çdo reformim kërkon një faturë financiare për t’u paguar, ndërkohë që fryma pozitive me Këshillin Drejtues çon përpara angazhimet.
“Me shumë të drejtë z. Beci e përmendi marrëdhënien e re, le ta quajmë kështu, midis Këshillit Drejtues dhe menaxhimit. Gjej rastin përsëri të falënderoj 11 anëtarët e Këshillit Drejtues për mbështetjen pa kushte që i kanë bërë procesit të reformimit. Të gjitha këto plane që ju kërkoni me të drejtë, janë plane të cilat kanë kosto financiare dhe duhet të mbështeten. Edhe këtu është kërkesa e Radio Televizionit Shqiptar ndaj Kuvendit, ndaj qeverisë, ndaj çdo aktori tjetër i cili mund të ndihmojë në realizimin e vërtetë të kësaj reforme. Rreziku më i madh që kjo reformë të mbetet në letër është mungesa e financimit. Mos të duket aq e pamundur dhe kërkesa e RTSH-së, qoftë edhe për indeksimin e tarifës, është më e ulët në të gjithë Evropën, kjo sipas studimit që vetë EBU na ka dërguar.”
Petrit Beci, nënkryetar i Këshillit, përmendi dallimin midis Këshillit Drejtues dhe menaxhimit, duke falënderuar 11 anëtarët e Këshillit për qëndrimin e tyre në procesin e reformimit.
Ai ritheksoi se dalja nga kriza kërkon financime dhe kërkoi rritjen e tarifës së aparatit, duke theksuar se buxheti duhet parë seriozisht për të shmangur borxhin dhe për të mundësuar investime strategjike si arkivi.
“Nëse nuk bëhet asgjë me taksën e aparatit, me tarifën e tij, unë mendoj se duhet parë seriozisht buxheti i institucionit. Zonja Eni Vasili, bashkë me ne që miratojmë, nuk ka se si të dalë nga gjendja e borxhit prej 5 milionësh që ka. Pra kjo e sjell në nivel zero, duke shtuar edhe një 5 milionë shtesë përveç investimeve strategjike, siç është arkivi që është kërkuar, dhe është absurd që nuk i jepet. Të gjithë e konstatojmë këtë problem, por asnjëri nga ne nuk jep zgjidhje. RTSH-ja vetë nuk mund ta zgjidhë dot përveç të bëjë ulje shpenzimesh deri aty ku mban, sepse kapacitetet janë të kufizuara. Maksimumi që mund të bëhet është që deri në fondin e vitit 2026 të shkohet në limitin e mundshëm të uljes së shpenzimeve.”
Iris Luarasi, në rolin e relatores, dha propozimet e saj, duke theksuar se reforma e nisur gjatë vitit 2025 ka krijuar bazën e nevojshme, por vendimet e vitit 2026 do të përcaktojnë nëse kjo reformë do të kthehet në transformim apo do të mbetet një premtim i papërmbushur.
“Reforma e nisur gjatë vitit 2025 ka krijuar kornizën e nevojshme, por janë vendimet e vitit 2026 ato që do të përcaktojnë nëse kjo nismë do të kthehet në një transformim real apo do të mbetet thjesht një premtim i papërmbushur. RTSH-ja meriton të njihet për faktin se ka ruajtur funksionin e plotë të medias publike dhe ka vendosur themelet e një procesi reformues të mbështetur nga EBU-ja. Megjithatë, mbetet po aq e vërtetë se rekomandimet e Kuvendit nuk u zbatuan plotësisht dhe se modeli financiar vijon të jetë i tensionuar, ndërsa institucionet mbeten një objekt i rëndësishëm shqetësimi.”
Kërkesa e Drejtoreshës së Përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, për mbështetje gjeti dakordësinë edhe të kryetares së komisionit, Jurita Tabaku.
“Ne do të diskutojmë propozimin dhe do t’i nisim një shkresë drejtuar Ministrisë së Financave për këtë çështje. Do të shohim dhe të diskutojmë njëkohësisht edhe mbështetjen për arkivin, për sa i përket fondit për digjitalizimin, dhe të shqyrtojmë planin financiar, për të parë se cilat aktivitete mund të realizohen me siguri përmes fondeve dhe kërkesave ndaj qeverisë, por njëkohësisht edhe me një tryezë më të gjerë donatorësh, për të diskutuar deri ku mund të jenë mundësitë e mbështetjes dhe diskutimin me Komisionin për sa i përket ristrukturimit, në momentin kur ju do ta keni gati atë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




