Kuvendi i kërkon KQZ-së dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e 140 mandateve të deputetëve

Politikë | 1 vit më parë

Kuvendi i Shqipërisë ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj. Ky proces është kyç për çeljen zyrtare të Legjislaturës së XI të Kuvendit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, në një shkresë drejtuar KQZ-së, i ka kërkuar këtë dokumentacion në respektim të nenit 69 të Kushtetutës, duke përfshirë të gjithë materialin e depozituar nga kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar mbajtjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës së XI më datë 12 shtator, në orën 10:00. Presidenti Begaj e ka cilësuar këtë moment si një “faqe të re në jetën institucionale të Republikës së Shqipërisë”.

Në seancën e parë parlamentare, parashikohet të ngrihet komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, një hap thelbësor para se deputetët të marrin zyrtarisht detyrën.

Bazuar në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 majit 2025, shpërndarja e 140 mandateve të Kuvendit të Shqipërisë është si më poshtë:

  • Partia Socialiste: 83 mandate
  • Partia Demokratike: 50 mandate
  • Partia Socialdemokrate: 3 mandate
  • Partia Mundësia: 2 mandate
  • Shqipëria Bëhet: 1 mandat
  • Lëvizja Bashkë: 1 mandat

Nga gjithsej 140 deputetë, 72 prej tyre do të jenë të rinj në Parlament, duke sjellë një përbërje të re në legjislaturën e ardhshme.

Çfarë thotë neni 69 i Kushtetutës?

1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:

a) gjyqtarët, prokurorët;
b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
ç) përfaqësuesit diplomatikë;
d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.

2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme