Kuvendi i Kosovës dështon të zgjedhë nënkryetarin nga minoriteti serb, Kryetari Basha e shpall të mbyllur seancën konstitutive
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë nënkryetarin nga minoriteti serb edhe në mbledhjen e kësaj të shtune (30 gusht).
Dy deputetë të Listës Serbe, Miljana Nikolliq dhe Igor Simiq, nuk morën asnjë votë në tri raundet e votimit. As deputeti tjetër nga ky komunitet, Nenad Rashiq, nuk arriti të zgjidhej, pasi siguroi 56 vota pro, pesë më pak se të paktën 61 votat e nevojshme.
Por edhe pse zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb dështoi, kryetari Dimal Basha e konsideroi të mbyllur seancën konstitutive, teksa thirri mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për të hënën (1 shtator).
“Në emër të funksionalizimit të Kuvendit dhe materializimit të rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, konsiderojnë se moszgjidhja e njërit prej gjashtë anëtarëve të kryesisë së Kuvendit nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit,” theksoi Basha.
Pavarësisht se për Lëvizjen Vetëvendosje, fituesen e zgjedhjeve të shkurtit, Kuvendi i Kosovës është konstituar, ky qëndrim është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare. Ata kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në mbledhje, pasi konsiderojnë se ende s’është përmbyllur konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Disa ditë më parë, Kuvendi zgjodhi kryetarin dhe katër nënkryetarët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




