Kuvendi miraton procedurën e përshpejtuar për “Bordin e Paqes”, Berisha: Procedura shkel Kushtetutën dhe afatet ligjore

Politikë | 9 muaj më parë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 80 vota pro dhe 22 kundër kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e propozuar pas ftesës së presidentit amerikan Donald Trump.

Menjëherë pas seancës plenare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një deklaratë për mediat duke kundërshtuar mënyrën e miratimit të procedurës.

Ai e cilësoi këtë si një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të mbuluar atë që e quajti “grusht shteti” në mbrojtje të ministrit Lubi Balluku.

Berisha tha se , “Një sqarim, kjo që shihni ju nuk është procedura e përshpejtuar. Kjo që shihni këtu është një akt që shkel në mënyrë flagrante nenet e Kushtetutës, që përcaktojnë afatin e një procedure të përshpejtuar që nuk mund të jetë kurrë më e shkurtër se sa një javë. Këta nuk kanë Kushtetutë, nuk kanë ligj, nuk kanë moral.”

Ai shtoi se kjo është një shkelje e hapur e Kushtetutës dhe se procedura e përshpejtuar e parlamentit është e përcaktuar qartë me nene kushtetuese, të cilat e ndalojnë zhvillimin e saj më shpejt se një javë nga iniciativa.

Mw tej, Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe Gjykatën Kushtetuese për zvarritje të procesit ndaj ministres Balluku.

 “Arsyet e kësaj që ndodhi janë të shumta, por para së gjithash është grushti i shtetit që po konsumon Edi Rama me Gjykatën Kushtetuese, e cila sot për turpin e saj vendos për të shtyrë më tej mbrojtjen e Lubi Ballukut dhe zhvlerësuar kërkesën e prokurorisë speciale për pezullimin dhe arrestimin e saj.”

Sakaq Berisha e cilësoi vendimin e Kuvendit si një akt kuverturë për mbrojtjen e kryeministrit, duke shtuar se, “Kemi të bëjmë me një akt kuverturë për grushtin e shtetit që po bën Edi Rama në mbrojtjen e vetes së tij de facto.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme