Kuvendi miraton projektligjet në rendin e ditës vetëm me votat e mazhorancës, opozita braktis seancën

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot një sërë projektligjesh të rendit të ditës vetëm me votat e mazhorancës, pasi deputetët e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë braktisën seancën plenare.
Në mungesë të opozitës, projektligjet kaluan me 76 dhe 77 vota pro, pa asnjë votë kundër.
Mes tyre ishte projektligji “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë”, i cili u miratua me 76 vota pro.
Po me 76 vota pro u miratua edhe projektligji “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore”.
Kuvendi miratoi gjithashtu me 77 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2024, ‘Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji’”, si dhe projektligjin “Për ratifikimin e Konventës Shumëpalëshe, ‘Për lehtësimin e zbatimit të shtyllës së dytë, subjekt i rregullit tatimor’”, me 76 vota pro.
Në seancën e sotme u miratua edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33, datë 31.03.2021, ‘Për Gardën e Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”, i cili kaloi me 77 vota pro.
Mazhoranca miratoi në tërësi projektligjet e rendit të ditës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim, duke vijuar bojkoin pas përjashtimit të deputetit Luçiano Boçi nga seanca.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




