KZAZ-të marrin në dorëzim pajisjet elektronike, nga e mërkura mbërrin materiali zgjedhor

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

18 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) në Tiranë janë ngritur në palestrat e institucioneve arsimore, të cilat do të bëjnë të mundur administrimin e votave për kryeqytetin.

Nga një vëzhgim që bëmë me kamerën tonë në shkolla rezulton se të gjitha KZAZ-të janë pajisur me kamerat dhe monitorët, dhe pritet nga mesi i javës të mbërrijë edhe materiali zgjedhor.

“Të gjitha këto pajisje kanë ardhur javën e kaluar. Gjithë këto ditë, nga e mërkura apo e enjtja është bërë kolaudimi i fundit për të parë si funksionojnë. Akoma s’kanë ardhur kutitë. Ne i presim dhe ndoshta ditën e nesërme… kemi bërë shkresat përkatëse komisariateve që u përkasin këto qendra votimi. Ditën e nesërme do të merret në ruajtje KZAZ-ja nr. 31 dhe më datë 10 çdo qendër votimi do të jetë e shoqëruar me një polic dhe me gjithë bazën materiale,” thotë Bledar Elezi, kryetari i KZAZ-së nr. 31.

Anëtarët e KZAZ-ve sqarojnë se materiali zgjedhor do të nisë të shpërndahet gjatë orëve të para të së shtunës.

“Ditën e shtunë pritet të vijnë të gjithë përfaqësuesit për të marrë materialet zgjedhore rreth orës 11:00. pritet të mbarojë rreth orës 18:00 ose 19:00,” tregon anëtarja e KZAZ-së nr. 31, Denisa Zhollanji.

“Ne kemi bërë një grafik për të gjitha qendrat e votimit që disponojmë, 105 qendra, dhe kemi lënë orare të caktuara me gjysmë ore deri në treçerek ore për tërheqjen e bazës materiale,” shton z. Elezi.

Në mbyllje të procesit të votimit, anëtarët e KZAZ-ve do të tërheqin materialin zgjedhor nga qendrat e votimit për të nisur më pas punën me procesin e numërimit.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme