Lamallari: Reforma në Drejtësi, themel për shtetin e së drejtës në Shqipëri, lufta kundër krimit është realitet i matshëm

Politikë | 1 vit më parë

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë fjalës së tij në Kuvend, deklaroi se drejtësia shqiptare ka hyrë në një fazë të re konsolidimi, duke u shkëputur nga ndikimet politike dhe duke u mbështetur në rezultate konkrete.

Ai theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është më një slogan, por një realitet i matshëm dhe i dukshëm.

“Lufta kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti nuk është vetëm një detyrë ligjore, por një provë morale për shtetin dhe për drejtësinë në tërësi,” u shpreh Lamallari, duke nënvizuar se viti 2024 shënoi një kthesë reale për sistemin e drejtësisë, jo në retorikë, por me fakte të pakundërshtueshme.”

Ministri prezantoi disa nga arritjet kryesore të vitit 2024, duke përfshirë rritjen më të lartë të hetimeve proaktive dhe sekuestrimeve pasurore në pesë vitet e fundit.

“Janë sekuestruar dhe konfiskuar 65.5 milionë euro pasuri – një rritje me gati 60% krahasuar me vitin e kaluar,” tha ai, duke shtuar se hetimet e nisura kryesisht nga prokurorët janë shtuar me 12.3%.

Ai vlerësoi gjithashtu progresin në implementimin e sistemit elektronik CAMS, duke theksuar se ky proces po zhvillohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

“Ne sot kemi një sistem që ka pavarësi prej politikës e që prodhon besim,” tha Lamallari, duke iu referuar raportit të Kuvendit që dëshmon se drejtësia penale shqiptare po ecën drejt standardeve evropiane.

Në vijim të fjalës së tij, ministri theksoi se këto rezultate nuk janë thjesht numra, por dëshmi e një sistemi që po mëson të funksionojë me përgjegjësi dhe integritet.

 “Ky është një realitet i ri i drejtësisë që ne kemi ndërtuar e që tani ka nevojë për konsolidim,” u shpreh ai, duke kujtuar se ishte kjo mazhorancë që ideoi Reformën në Drejtësi dhe e çoi përpara me ndihmën e partnerëve strategjikë, BE dhe SHBA.

Lamallari kritikoi kundërshtarët politikë të reformës, duke thënë se “Po të ishte në dorë të një pjese të politikës, ajo pjesë që e sulmon edhe sot e gjithë ditën, Reforma në Drejtësi mbase nuk do të ishte bërë kurrë.”

Ai shtoi se mazhoranca aktuale ka përgjegjësinë historike për ta konsoliduar më tej këtë reformë, në mënyrë që shqiptarët të kenë drejtësinë e munguar që prej themelimit të shtetit.

Duke folur për ambiciet evropiane të Shqipërisë, Lamallari tha se “Sot ne po negociojmë denjësisht me Komisionin Evropian, me ambicien historike për të qenë në 2030 si të barabartë mes të barabartësh.”

Ai theksoi se pas shkëputjes së drejtësisë nga ndikimi politik, është koha për një dimension të ri që garanton standarde demokratike të panegociueshme.

Për vitin 2025, shtoi ai- Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar një fokus të qartë duke e vwnw fokusin nw, transparencë, integritet, godina funksionale për gjykatat dhe prokuroritë, si dhe përdorim masiv të teknologjisë.

“Ministria e Drejtësisë po udhëheq fazën e dytë të konsolidimit të Reformës në Drejtësi, me theks tek integriteti, profesionalizmi dhe drejtësia e aksesueshme për qytetarët,” tha Lamallari.

Ai përmbylli fjalën duke theksuar se në vitin 2025 nuk do të flitet më për reformë, por për konsolidim.

“Për drejtësi të matshme, të aksesueshme dhe të ndershme. Në këtë rrugë, Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të jetë jo vetëm një koordinatore e politikave, por një udhëheqëse e transformimit të sistemit sipas zotimit të bërë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj Bashkimit Evropian,” përfundoi ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme