Lamallari: Shqipëria ka ndërtuar një sistem të drejtësisë mbi themele të forta, por sfidat mbeten
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë fjalës së tij në konferencën për 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe krijimit të Komisionit të Venecias, theksoi rëndësinë e këtij partneriteti për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme demokratike dhe forcimin e shtetit të së drejtës në vend.
“Sot Shqipëria i përket një tjetër realiteti,” deklaroi ministri, duke nënvizuar se përparimi i vendit në negociatat me Bashkimin Europian është një dëshmi e suksesit të reformave rrënjësore dhe angazhimeve konkrete në kuadër të përafrimit me standardet europiane.
Lamallari vuri në dukje se viti i ardhshëm shënon një dekadë nga fillimi i reformës në drejtësi, një reformë që, sipas tij, ka ndryshuar rrënjësisht sistemin dhe ka krijuar institucione të reja, të pavarura dhe me integritet.
“Sot kemi një sistem drejtësie të ndërtuar mbi themele të forta të pavarësisë dhe integritetit, me gjykata dhe prokurori të posaçme që për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar hetojnë dhe ndëshkojnë njerëz me pushtet. Besimi në rritje i qytetarëve në këto institucione është treguesi më i fortë se kemi ndjekur drejtimin e duhur,” u shpreh ministri.
Ai theksoi mbështetjen e vazhdueshme për konsolidimin e mëtejshëm të të gjitha hallkave të sistemit të drejtësisë, në funksion të barazisë para ligjit dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
Duke folur për vizionin qeverisës “Shqipëria 2030”, Lamallari theksoi rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrave kushtetues dhe të një raporti të shëndetshëm ndërmjet pushteteve. Ai kërkoi një bashkëveprim dinamik mes tyre, të bazuar në transparencë, përgjegjshmëri dhe paanshmëri.
Ministri nuk i anashkaloi sfidat me të cilat përballet ende sistemi i drejtësisë. Ai solli në vëmendje të dhëna për situatën në burgje dhe sistemin gjyqësor.
“Aktualisht kemi 4,576 shtetas në burgje, nga të cilët 60% janë ende në pritje të një vendimi gjyqësor. Qëndrimi i zgjatur në paraburgim përtej kohës së lejuar me vendim gjykate mbetet një problem serioz që duhet adresuar me prioritet.”, shtoi Lamallari
Një tjetër shqetësim i ngritur nga ministri ishte rritja e vonesave në shqyrtimin e çështjeve civile dhe mungesa e zbatimit të alternativave ndaj proceseve të gjata gjyqësore.
“Në vitin e kaluar, vetëm një gjykatë në shkallë republike udhëzoi qytetarët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes ndërmjetësimit. Nga 1,500 raste të tilla, vetëm 25 janë zgjidhur me këtë mekanizëm ,më pak se 2%.”, tha ai.
Lamallari përmendi gjithashtu efektet e vakancave të krijuara nga procesi i vettingut në rritjen e ngarkesës së gjykatave dhe theksoi nevojën për reforma të mëtejshme për të rritur efikasitetin dhe qasjen në drejtësi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




