Lamallari viziton efektivët e plagosur te Trauma: Mjerim dhe shfrytëzim kriminal i të miturve për dhunë

Aktualitet | 7 muaj më parë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi mbrëmjen e sotme Spitalin e Traumës për të parë nga afër gjendjen e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët mbetën të lënduar nga hedhja e bombave molotov gjatë protestës së opozitës. Ministri i cilësoi sulmet ndaj uniformave të shtetit si të patolerueshme dhe paralajmëroi përgjegjësi ligjore për organizatorët.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, të shoqëruar me pamje nga vizita në spital, Lamallari hodhi akuza të rënda ndaj organizatorëve të tubimit, duke i akuzuar ata për përdorimin e fëmijëve në akte dhune.

“Mjerim i madh e pabesi të vësh përpara të miturit, t’i shtysh të ndezin molotovë dhe të hedhin fishekzjarre ndaj institucioneve e punonjësve të Policisë. Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve,” deklaroi ministri, duke shtuar se autorët dhe nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi.

Bilanci zyrtar, 6 efektivë të lënduar

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, gjatë tubimit të Partisë Demokratike mbetën të lënduar gjithsej 6 punonjës policie. Efektivët i përkasin forcave të posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore.

Aktualisht, ata po marrin ndihmë mjekësore të specializuar në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Fatmirësisht, burimet mjekësore konfirmojnë se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia sqaroi se u kishte bërë thirrje të vazhdueshme pjesëmarrësve nëpërmjet “Qendrës së Zërit” që të mos ushtronin akte dhune, por këto thirrje u injoruan nga një pjesë e protestuesve që sulmuan kordonin me lëndë djegëse dhe piroteknike.

Institucioni i sigurisë përsëriti angazhimin për të garantuar të drejtën e protestës, por dënoi me forcë sulmet e përsëritura ndaj punonjësve në krye të detyrës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme