Landfilli i Pobregut, Halilaj: Investim i BE-së, garanci për ndikimin në mjedis
Landfilli i Pobregut është njëri prej investimeve thelbësore për të zgjidhur problemin e menaxhimit të integruar të mbetjeve. Kryetari i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve dhe të këshilltarëve për miratimin e këtij projekti, të financuar dhe me mbikëqyrje të BE-së.
“Ndërtimi i landfillit do jetë në funksion të banorëve të Kukësit për një qytet të pastër, për një investim dinjitoz sipas parametave të Bashkimit Evopian, pavarësisht shumë zhurmave dhe personave që nuk e duan Kukësin të zhvilluar”, tha kreu i bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj.
Duke u ndalur te kundërshtitë e qytetarëve të Pobregut për këtë projekt, kryetari i Bashkisë i lidhi ato me kundërshtime politike, duke theksuar se ky projekt ka mbështetje qytetare.
“Del një banorë apo dy për arsye politike dhe për të bërë zhurmë. Unë me shumicën e banorëve kam folur, i kam vënë në dijeni për projektin për transparencën e këtij projekti nga kush financohet nga kush tenderohet dhe kush do kryejë punimet e me radhë e me radhë. Është një gjë që ka nis në vitin 2018 është kaluar edhe në këshillin bashkiak përpara meje. Tani besoj se shumë shpejt do jetë te këshilli bashkiak për t’u miratuar”, theksoi ai.
Duke folur për ndikimin në mjedis, kryetari i Bashkisë theksoi se ky projekt jo vetëm që financohet nga BE-ja, por edhe implementohet nga kompani që mbikëqyren nga BE-ja për sa i përket plotësimit të standardeve evropiane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




