Lapaj: Florian Binaj e bashkon opozitën. Lëvizja jonë bën koalicion me kandidatin, jo me Berishën

Politikë | 1 vit më parë

Në prag të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 9 Nëntorit në Tiranë, bashkimi i opozitës rreth kandidaturës së pavarur të Florjan Binajt u bë tema qendrore e debatit politik. Në emisionin “Trialog”, nën moderimin e Alba Alishanit, ku të pranishëm ishin edhe analistët politikë, Lorenc Vangjeli, Preç Zogaj dhe Arion Sulo, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, konfirmoi mbështetjen për Binajn, duke theksuar se kjo formulë ishte e imponuar nga shoqëria civile.

Lapaj theksoi se Lëvizja e tij nuk ka hyrë në koalicion me partitë tradicionale, por ka zgjedhur të mbështesë vetëm kandidatin e pavarur.

“Ne nuk jemi në koalicion me Berishën, por me Florian Binajn, si kandidat të pavarur,” deklaroi Lapaj.

“Binaj e ka shpallur kandidaturën si i pavarur. Është aktivist i hershëm i shoqërisë civile me disa kauza. Nuk ka qenë i atashuar në kampe politike.”

Formula e Binajt, formulë e “hapjes së politikës”

Lapaj bëri me dije se diskutimet për një kandidat të përbashkët kishin nisur tre javë më parë. Ndonëse fillimisht kishte refuzuar komunikimet me partitë opozitare, ai kishte qenë i qartë në një pikë: Lëvizja do të mbështeste vetëm një kandidat të pavarur.

Sipas tij, kjo ishte një fitore e rëndësishme: “Ne ndihemi mirë që e imponuam këtë formulë. Lajmi i mirë është që politika e mbajtur peng nga një pakicë njerëzish po hapet tashmë.”

Kreu i “Shqipëria Bëhet” pranoi se partitë tradicionale, si PD apo PS, e kanë të vështirë të jenë tolerante ndaj kandidatëve të pavarur, por shtoi se shoqëria po avancon.

Lapaj shpjegoi se Lëvizja e tij ishte e përgatitur të hynte vetëm në zgjedhje, duke pasur parasysh edhe faktin që Binaj ka qenë pjesë e themelimit të Lëvizjes. Megjithatë, kur u ndie nevoja për një kandidat bashkues, vendosën të mbështesin këtë formulë, pavarësisht “probabilitetit të vogël për fitore përballë superpushtetit të Ramës.”

Duke ruajtur qëndrimin e pavarur, Lapaj theksoi se Lëvizja e tij nuk do të mbajë fjalime në mitingjet e Binajt, duke nënvizuar kështu se fokusi mbetet te kandidatura qytetare dhe jo te fushata e partive.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme