Legjionarët/ Gola nga Laçi, Seferi dhe Muja, Gripshi shënon dhe shpallet lojtari i ndeshjes

Kombëtarja | 8 muaj më parë

Futbollistët e Kombëtares shqiptare që aktivizohen në kampionatet europiane vijojnë të japin sinjale pozitive me paraqitjet e tyre edhe këtë fundjavë, duke qenë protagonistë me gola dhe asiste për skuadrat respektive.

Qazim Laçi ishte vendimtar për Rizespor në fitoren 1-0 ndaj Antalyaspor. Mesfushori kuqezi realizoi golin e vetëm të takimit nga pika e penalltisë në minutën e 10-të, duke i dhënë skuadrës së tij tri pikët.

Protagonist në Rusi ishte edhe Nazmi Gripshi. Mesfushori shqiptar shënoi golin e parë në fitoren 2-1 të Rubin Kazan ndaj Krasnodar, duke realizuar në minutën e 24-t. Në fund të takimit, Gripshi u vlerësua edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes.

Një paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe Taulant Seferi në ndeshjen mes Bodrumspor dhe Erokspor, e përfunduar 3-4. Sulmuesi shqiptar realizoi një gol nga pika e penalltisë në fundin e takimit dhe dha asistin për golin e dytë të Bodrumspor.

Gol shënoi edhe Arbnor Muja në fitoren 2-1 të St. Truiden ndaj Cercle Brugge. Futbollisti shqiptar zhbllokoi sfidën në minutën e 24-t, duke realizuar golin e parë për skuadrën e tij.

Titullarë me skuadrat e tyre këtë javë u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni.

Ndërkohë, nga stoli u aktivizuan Berat Gjimshiti dhe Nedim Bajrami.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme