Legjionarët: Manaj është i pandalshëm, shënojnë edhe Uzuni dhe Shehu

Kombëtarja | 2 vite më parë

Pas angazhimit me ekipin Kombëtar, futbollistët kuqezi janë kthyer në klubet e tyre, ku disa kanë bërë menjëherë diferencën me gola vendimtarë.

Rey Manaj është i pandalshëm, teksa pas dygolëshit ndaj Andorrës, shënoi sërish dy herë këtë fundjavë me ekipin e tij, Sivasspor në ndeshjen kundër Adana Demirspor. Në pjesën e parë, brenda katër minutave, sulmuesi shqiptar bëri gjithçka mirë dhe shënoi dy herë. Ndërsa në fraksionin e dytë ishte vendimtar me dy asiste për shokët e skuadrës. Ndeshja përfundoi 5-1 për Sivasspor dhe Manaj u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes nga sajti i specializuar për statistika, Sofascore.

Myrto Uzuni gjeti golin e parë me klubin e tij të ri, Austin. Në takimin në transfertë ndaj St. Louis City, sulmuesi kuqezi shënoi golin e vetëm në fitoren minimale 0-1. Tre pikë të artë për Austin, që renditet në vendin e dytë në kampionat me 12 pikë.

Pasi debutoi si titullar me Kombëtaren në sfidën ndaj Andorrës, Juljan Shehu shënoi gol këtë fundjavë me klubin e tij, Widzew Lodz. Mesfushori i Kombëtares shënoi golin e dytë në fitoren 0-2 në transfertë ndaj Piast Gliwice.

Qazim Laçi zhvilloi një paraqitje të mirë, pavarësisht humbjes së Sparta Prague 2-4 ndaj Plzen. Mesfushori i Kombëtares dha një asist në golin e parë të takimit, që u shënua nga Sparta Prague në minutën e 8-të.

Nga lojtarët e Kombëtares, titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan Elhan Kastrati, Simon Simoni, Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti, Enea Mihaj, Ylber Ramadani, Adrion Pajaziti, Ernest Muçi dhe Rey Manaj. Dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Ivan Balliu, Arlind Ajeti, Taulant Seferi, Medon Berisha, Kristjan Asllani, Arbër Hoxha dhe Jasir Asani.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme