Letoni-Shqipëri, formacioni i mundshëm i kombëtares

Pas barazimit pa gola në Tiranë përballë Serbisë, Shqipëria bëhet gati për ndeshjen e radhës kundër Letonisë e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Kuqezinjtë luajnë një ndeshje vendimtare nesër në mbrëmje në Riga, me fitoren të vetmen alternativë, nëse duhet që të mbajmë gjallë shpresat për një vend në Botëror.
Pritet që trajneri Silvinjo të bëjë disa ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen e fundit kundër Serbisë. Është e sigurt mungesa e kapitenit Berat Gjimshiti, që për shkak kartonësh nuk do të luajë kundër Letonisë.
RTSH Sport mëson se në vend të tij në qendër të mbrojtjes do të luajë Ismajli. Mitaj, Ajeti dhe Hysaj do të plotësojnë prapavijën, ndërsa Strakosha pritet që të luajë si titullar në portë.
Ndryshime pritet të ketë edhe në repartet e tjera. Në mesfushë rikthehet Ramadani, ndërsa në krah të tij do të jenë Asllani dhe Laçi. Ndërsa Broja, Asani dhe Daku pritet që të formojnë repartin e sulmit.
Pas 3 ndeshjeve të zhvilluara në grupin K, Shqipëria qëndron në vendin e dytë në kuotën e 4 pikëve, pas kryesuesve të Anglisë, që kanë koleksionuar 3 fitore në po aq ndeshje të luajtura.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




