Libra në gjuhën shqipe për fëmijët e emigrantëve, Qeveria mbështet ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Janinë, gjatë kësaj periudhe, nuk kufizohet vetëm në shërbimet konsullore, por edhe në mbështetjen e arsimit në gjuhën amtare për fëmijët e komunitetit shqiptar. Pranë Konsullatës tashmë ndodhet një kontingjent librash, të financuar nga qeveria shqiptare, të cilët po shpërndahen për të gjithë fëmijët shqiptarë që jetojnë në këtë zonë.
Pjesa më e madhe e librave është tërhequr nga prindërit, të cilët e shohin si një vlerë të veçantë mundësinë që abetarja dhe gjuha shqipe të përcillet edhe te fëmijët e tyre, duke ruajtur lidhjen me atdheun.
“Konsullata ofron tekste, abetare dhe tekste letrare në shqip për të gjithë shqiptarët që vijnë dhe marrin shërbime konsullore, të marrin edhe këtë shërbim për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në rajonin e mbulimit të Konsullatës së Përgjithshme të Janinës të vijnë dhe të paraqesin kërkesat e tyre për të marrë tekste për fëmijët, por edhe çdo kërkesë tjetër do ta mirëpresim, në mënyrë që ta adresojmë me qëllim që ta mbajmë sa më gjallë gjuhën shqipe”, tha Irida Laçi, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Janinë.
Konsullja bëri me dije se interes për të marrë libra në shqip ka edhe nga grupmosha të tjera, çka tregon rëndësinë që komuniteti shqiptar i jep ruajtjes së gjuhës amtare.
“Janë edhe njerëz të moshave të treta, pasi tani janë bërë mbi 30 vjet që shqiptarët në emigracion kanë ardhur në këtë pjesë të Greqisë. Janë zonja dhe zotërinj, pensionistë në Greqi, që vijnë dhe marrin tekste letrare dhe janë shumë falënderues për këtë shërbim që u ofrohet”, u shpreh ajo.
Shpërndarja e librave në gjuhën shqipe pranë Konsullatës në Janinë synon të mbajë gjallë gjuhën amtare dhe lidhjen kulturore të fëmijëve shqiptarë me vendlindjen e prindërve të tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




