Liderët botërorë vlerësojnë marrëveshjen SHBA-Iran
Pakistani, vendi i cili ka luajtur një rol kyç në ndërmjetësim në bisedimet SHBA-Iran përshëndeti marrëveshjen fillestare të paqes të nënshkruar nga dy palët, dokument që e nënshkroi edhe vetë një ditë më parë. “Nënshkrimi i marrëveshjeje në nivelin më të lartë të vendeve përkatëse tregon angazhimin e të dyja palëve për një zgjidhje diplomatike të konfliktit”- u shpreh Kryeministri Shehbaz Sharif.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte duke mirëpritur nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit tha se parashikohet të degradohet aftësia bërthamore të Iranit dhe të rivendoset liria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Presidenti Macron i cili priti kreun e Shtëpisë së Bardhë në një darkë në Pallatin e Versajës, ku Trump nënshkroi marrëveshjen, tha se pakti hap rrugën për paqe të qëndrueshme dhe ulje të çmimeve të energjisë.
Diplomati më i lartë i Kinës Wang Yi pasi përshëndeti marrëveshjen SHBA-Iran, tha pas një telefonatë me homologun e tij iranian Abas Aragchi se agimi i paqes ka mbërritur. Edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ndërsa vlerësoi nënshkrimin e memorandumit u shpreh e gatshme për hapa konkretë mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Ndërkohë marrëveshja fillestare që do t’i hapë rrugë fundit të luftës në Lindjen e Mesme reflektoi menjëherë në tregjet globale, duke çuar në rënien e çmimeve të karburanteve, ku nafta e papërpunuar Brent ra deri në 78 dollarë për fuçi dhe të paktën 5 milionë fuçi naftë bruto iraniane janë nxjerrë në det që nga arritja e atij pakti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




