Ligji i ri i koncesioneve, Financat me të drejtë “veto”-je, kufizim borxhi për Bashkitë, 10 mijë euro gjobë titullarëve nëse fshehin raportet për PPP-të

Pas më shumë se një dekade, hyn në fuqi korniza e re ligjore për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat (PPP). Ligji i dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj, shfuqizon ligjin e vitit 2013 dhe vendos rregulla të forta për miratimin dhe monitorimin e kontratave.
Ndryshimi më i madh që sjell ligji i ri është vendosja e Ministrisë së Financave në qendër të vendimmarrjes, duke i dhënë asaj fuqi bllokuese për çdo projekt që rrezikon buxhetin e shtetit.
“Vetoja” e Ministrisë së Financave
Sipas nenit 11 të ligjit të ri, asnjë autoritet, qoftë ministri linje apo bashki, nuk mund të nisë një procedurë koncesionare pa marrë miratimin paraprak të Ministrisë së Financave.
“Ministria përgjegjëse për financat vlerëson e miraton paraprakisht të gjitha studimet e fizibilitetit nga pikëpamja e implikimeve për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente,” saktëson ligji.
Kjo do të thotë se projektet që nuk kanë siguri financiare ose që krijojnë borxhe të fshehta (kontingjente) për të ardhmen, nuk do të mund të kalojnë më. Madje, çdo ndryshim kontrate apo transferim pronësie gjatë rrugës, do të kërkojë sërish vulën e Financave.
“Frenat” për kryebashkiakët
Ligji i ri u jep fund edhe çështjeve financiare të bashkive me PPP-të. Neni 16 vendos një tavan të panegociueshëm për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore:
Bashkitë nuk mund të lidhin kontrata nëse vlera totale e tyre kalon 5% të aktiveve (pasurisë) të bashkisë.
Pagesat vjetore për koncesionet nuk duhet të kalojnë 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës.
Kjo masë pritet të disiplinojë buxhetet vendore dhe të shmangë falimentimin e bashkive nga kontratat afatgjata të pastrimit apo infrastrukturës.
Gjoba deri në 1 milion lekë për titullarët
Për herë të parë, ligji personalizon përgjegjësinë. Neni 74 parashikon gjoba të rënda administrative për titullarët e institucioneve (ministra, drejtorë, kryebashkiakë). Nëse titullari nuk dërgon raportet periodike të monitorimit të kontratës në Ministrinë e Financave, ai gjobitet personalisht nga 100,000 deri në 1,000,000 lekë.
Strukturat e reja dhe SPV-të
Ligji detyron krijimin e Njësisë së Zbatimit të Kontratës (NJZK) për çdo koncesion. Kjo nuk do të jetë më një strukturë fiktive, por një njësi e përhershme që monitoron zbatimin e punimeve dhe faturat.
Gjithashtu, fituesit e tenderave nuk mund të operojnë lirisht me kompanitë e tyre ekzistuese.
Neni 63 sanksionon krijimin e Subjekteve për Qëllime të Veçanta (SPV). Kjo do të thotë se për çdo koncesion duhet të krijohet një shoqëri e re tregtare me seli në Shqipëri, e cila ka si objekt vetëm atë projekt, duke rritur transparencën dhe kontrollin tatimor.
Transparenca me pronarët përfitues
Një tjetër risi është lufta ndaj kompanive “guaskë”. Neni 38 saktëson se një operator ekonomik skualifikohet automatikisht nëse nuk ka regjistruar pronarët përfitues (pronarët e vërtetë) në regjistrin përkatës, sipas legjislacionit në fuqi.
5 risitë e ligjit të ri
Filtri Financiar- Asnjë koncesion nuk miratohet pa “OK” nga Ministria e Financave për risqet fiskale.
Kufizimi 5%- Bashkitë nuk mund të shpenzojnë më shumë se 5% të taksave vjetore për pagesa PPP-sh.
“Lista e zezë”- Skualifikohen automatikisht kompanitë që nuk deklarojnë pronarët përfitues ose kanë probleme me taksat.
Monitorimi- Krijohen Njësitë e Përhershme të Zbatimit të Kontratës (NJZK) me raportim të detyrueshëm 4 herë në vit.
Gjobat- Titullarët e institucioneve gjobiten deri në 10 mijë euro nëse fshehin ecurinë e kontratave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




