Ligji i ri për gjuetinë ngjall reagime, Gjuetarët e Shkodrës kundër penalizimeve
Ligji i ri për gjuetinë, sipas Shoqatës së Gjuetarëve në Shkodër, megjithëse prezantohet si një instrument modern për menaxhimin e faunës së egër, ngre më shumë problematika sesa zgjidhje. Kryetari i shoqatës, Zyhdi Mustafa, deklaron se disa prej neneve të projektligjit, veçanërisht ato që lidhen me administrimin e zonave të gjuetisë, penalizojnë pjesën më të madhe të gjuetarëve.
“Ligji i ri që ka dalë në disa pika na dënon ne. Ligji thotë se gjuetinë do ta marrë në administrim persona fizik dhe juridik. Kjo është ta shkatërruar gjuetinë, që një njeri i vetëm të administrojë një zonë të tërë”, tha ai.
Një tjetër pikë e kontestuar është ndalimi i përdorimit të armëve gjysmë automatike. Drejtuesit e shoqatës argumentojnë se kjo masë prek drejtpërdrejt gjuetarët e licencuar, duke e bërë më të vështirë ushtrimin e aktivitetit. Federata Kombëtare e Gjuetisë pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me një memorandum, për rishikimin e disa neneve të projektligjit të miratuar në dhjetor 2025.
“Jemi duke përgatitur një draft për të paraqitur në Gjykatën Kushtetuese ku do kundërshtojmë përveç administrimit të zonave nga persona fizik e juridik, dhe kundërshtimin e pikës ku thotë të mos përdoren armë gjysmë-automatike. Ne nuk jemi të parët që kemi përdorur këto armë, por janë tregtuar nga Evropa”, tha Mustafa.
Ligji përcakton masa të ashpra ndëshkuese për shkelësit. Gjobat për gjuetinë në zona të ndaluara, për kapjen e specieve jashtë listës së lejuar apo për ushtrimin e gjuetisë pa leje vardojnë nga 500 mijë lekë deri në 1.3 milion lekë. Ndërkohë, Federata Kombëtare e Gjuetisë ka propozuar më herët që gjuetia të rikthehet si sport i licencuar kundrejt pagesës, duke vlerësuar se ky model mund të gjenerojë deri në 12 milionë euro të ardhura vjetore për buxhetin e shtetit
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




