Ligji i ri për sportin shqiptar, risitë në arbitrazhin sportiv dhe financimin, roli i Komitetit Paralimpik Kombëtar Shqiptar dhe i Olimpikut Special

Sporti shqiptar duket se do të ketë një qasje të re me miratimin dhe shpalljen e Ligjit, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për sportin’”. Ky ligj, i shpallur me dekret edhe nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, synon të modernizojë kuadrin ligjor të sportit, duke sjellë risi të rëndësishme në organizimin, financimin dhe përfshirjen në veprimtaritë sportive.
Një nga shtesat më të spikatura është njohja dhe rregullimi i qartë i fondacioneve në fushën e sportit. Këto organizata jofitimprurëse, të themeluara nga institucione publike apo subjekte private, tashmë mund të financohen drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, duke hapur rrugë të reja për investime dhe zhvillim në këtë sektor.
Paralimpikët dhe Olimpiku Special marrin vëmendje
Ligji i ri sjell një fokus të veçantë në sportin për personat me aftësi të kufizuara. Ai përcakton qartë rolin dhe funksionimin e Komitetit Paralimpik Kombëtar Shqiptar dhe Olimpikut Special Shqiptar si organizata të pavarura jofitimprurëse. Këto dy subjekte, tashmë të sanksionuara me ligj, do të drejtojnë respektivisht lëvizjen paralimpike për individët me aftësi fizike të kufizuara dhe lëvizjen olimpike speciale për personat me aftësi intelektuale të kufizuara në Shqipëri.
Për herë të parë, statutet dhe ndryshimet statutore të këtyre komiteteve do të miratohen nga ministri përgjegjës për sportin, duke siguruar një standardizim dhe mbikëqyrje më të fortë. Po ashtu, vetëm një Komitet Paralimpik Kombëtar Shqiptar dhe vetëm një Olimpik Special Shqiptar do të njihet zyrtarisht, duke shmangur çdo konfuzion apo fragmentim në drejtimin e këtyre lëvizjeve të rëndësishme. Ligji gjithashtu specifikon se Lojërat Olimpike Speciale dhe Lojërat Paralimpike do të organizohen nga këto dy institucione, duke theksuar rëndësinë e tyre, shkruan rtsh.al.
Risia në arbitrazhin sportiv dhe financimin e organizatave
Një tjetër element i rëndësishëm është ndryshimi në përkufizimin dhe funksionimin e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv. Ai përshkruhet si një organizatë e pavarur jofitimprurëse, që do të ketë rol kyç në drejtimin, autorizimin, mbikëqyrjen dhe vendosjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën e sportit. Kjo do të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe drejtësisë në sportin shqiptar.
Sa i përket financimit, ligji i ri rishikon kriteret dhe procedurat. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Komiteti Paralimpik Kombëtar Shqiptar, Organizata Kombëtare Antidoping, Olimpiku Special Shqiptar, federatat sportive, Këshilli i Arbitrazhit Sportiv dhe fondacionet sportive me themelues institucione publike do të financohen me fonde nga buxheti i shtetit në formë transferte, si dhe nga burime të tjera të ligjshme.
Ministria përgjegjëse për sportin do të monitorojë dhe kontrollojë periodikisht administrimin e këtyre fondeve. Megjithatë, financimi i plotë nga buxheti i shtetit për Olimpikun Special Shqiptar do të fillojë 9 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, ndërsa për Këshillin e Arbitrazhit Sportiv dhe Komitetin Paralimpik Kombëtar Shqiptar do të jetë 24 muaj pas hyrjes në fuqi. Kjo periudhë tranzitore synon të sigurojë konsolidimin e plotë funksional të këtyre institucioneve.
Ky ligj shënon një hap të madh drejt një sporti më të organizuar, më të përfshirë dhe më të financuar në Shqipëri, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit të talentëve dhe rritjes së pjesëmarrjes në të gjitha kategoritë sportive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




