Lirimi i hapësirave publike, Rama: Së shpejti plani për vendosjen e tavolinave jashtë, 75% e hapësirës për këmbësorët, 25% njësia e shërbimit

Aktualitet | 1 vit më parë

Aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon në të gjithë vendin, teksa duket se tashmë është gati edhe plani i ri menaxhimit. Përmes një postimi në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama bën me dije se sipas këtij plani të ri, që pritet t’i dorëzohet së shpejti të gjithë bizneseve, 75% e hapësirës do t’i lihet këmbësorëve, ndërsa 25% do të shfrytëzohet nga njësitë e shërbimit.

Sa i përket strukturave të ndërtuara në trotuare, Rama thekson se do të lejohen vetëm në rastet e hapësirave të bollshme dhe aty ku ka një projekt urbanistik.

Po ashtu, kreu i qeverisë thekson se po punohet edhe me projektin e Rilindjes Urbane 2.0, për të cilin thotë se janë angazhuar arkitektë të huaj e vendas.

 “Në ndërkohë po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas. Ndërsa për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit. Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik”, shkruan Rama.

Teksa bën një bilanc lidhur me punën e kryer deri më tani për lirimin e hapësirave publike, Rama shkruan se vetëm në kryeqytet, deri nesër (20 korrik), hapësira e çliruar shkon në rreth 20 mijë metër katrorë. Ai thekson se ky aksion do të vijojë pa u ndalur në çdo qytet.

“Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara, ndërkohë që puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo”, shkruan Rama.

Prej disa ditësh, në vend ka nisur aksioni për  lirimin e hapësirave publike, teksa autoritetet kanë theksuar se do të vijojë deri në dhënien fund të këtij fenomeni.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme