Lirimi i hapësirave, Rama: Të gjitha ngrehinat edhe platformat do të zhbëhen përditë dhe me durim
Një ditë pas nisjes së aksionit për pastrimin e akseve rrugore dhe disa javë nga fillimi i punës për lirimin e hapësirave publike në zonat urbane, Kryeministri Edi Rama ka shprehur sërish vendosmërinë për ta çuar deri në fund reformën për pastrimin e territorit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndan pamje nga puna që po zhvillohet në terren për lirimin e trotuareve të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme.
“Sigurisht jo vetëm ngrehinat prej hekuri, por edhe platformat e gjithfarëllojshme nën to do të zhbëhen hap pas hapi, përditë dhe me durim, derisa të vendoset kudo kufiri që garanton lirinë e hapësirës komunitare dhe përcakton deri ku mund të shtrihen tavolinat, karriget dhe çadrat e njësive tregtare”, shkruan Rama në reagim.
Nga dita e djeshme, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka nisur zbatimin në terren të masave konkrete për respektimin e distancave në segmentet rrugore në të gjithë vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




