Lisbonë – Treni del nga shinat, të paktën 15 viktima dhe dhjetëra të plagosur

Europë | 1 vit më parë

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti të rëndë në Lisbonë të Portugalisë. Funikulari Gloria (një sistem transporti hekurudhor që lëviz në shpat të pjerrët me ndihmën e kabllove), një atraksion historik dhe shumë i njohur turistik, doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë, duke shkaktuar tragjedi në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.

Shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, ndërsa mes viktimave ka edhe turistë.

Kryebashkiaku i Lisbonës, Carlos Moeda reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku tha se qyteti është në zi, duke e quajtur aksidentin një moment tragjik.

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjitha familjet dhe miqtë e viktimave. Lisbona është në zi“, shkruan ai.

Funikulari Gloria, i cili daton nga viti 1885, është një prej simboleve më të njohura të Lisbonës, që transporton çdo ditë qindra turistë dhe vendas. Hekurudha lidh qendrën e Lisbonës me lagjen e sipërme dhe është e popullarizuar nga turistët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme