Investimi në Zvërnec, Rama: SPAK të hetojë origjinën e pronës, s’ka shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do jem këtu

Politikë | 5 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit për investimin e planifikuar në Zvërnec dhe protestave qytetare kundër këtij projekti, duke deklaruar se procesi i hetimit nga SPAK mbi origjinën e pronës është pozitiv dhe i nevojshëm, por duke theksuar se investitorët që kanë blerë pronën kanë vepruar në përputhje me legjislacionin shqiptar.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me protestat dhe mundësinë e tërheqjes nga investimi nëse kundërshtitë vazhdojnë, Rama theksoi se investimi në Zvërnec nuk do të ndalojë, ndërsa u shpreh i gatshëm për diskutime me këdo që ka pretendime.

Kryeministri tha se çështja duhet parë në dy plane të ndryshme: hetimi për origjinën e pronës dhe statusi i investitorëve që kanë hyrë në projekt. Sipas kreut të qeverisë, pjesa pozitive e kësaj historie lidhet me verifikimin e origjinës së pronës nga organet ligjzbatuese.

“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do jem këtu. Unë jam absolutisht i hapur për të diskutuar me këdo ka pretendime. Kjo çështje ka dy pjesë. Pjesa pozitive është hetimi mbi origjinën e një prone. Për sa kohë që ky është një problem i ngritur, me të drejtë apo pa të drejtë, kjo mbetet për t’u përcaktuar. Duke qenë se është një çështje e diskutuar gjerësisht dhe e lidhur me një hetim të nisur, është pozitive që SPAK të hetojë origjinën e kësaj prone. Kjo është e mirëpritur dhe unë e inkurajoj këtë hetim”, deklaroi Rama.

Megjithatë, ai kritikoi atë që e quajti shpërndarje të pjesshme të informacionit në opinionin publik, duke argumentuar se investitorët aktualë të projektit kanë kaluar të gjitha procedurat e kërkuara nga ligji.

“Kjo është pjesa që unë e konsideroj problematike. Investitorët që sot janë zotëruesit e pronës, bazuar në legjislacionin shqiptar dhe duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore, janë investitorë me reputacion të padiskutueshëm. Burimet financiare të përdorura për blerjen e pronës janë verifikuar nga institucionet përkatëse dhe, në këtë rast, edhe më imtësisht nga strukturat e luftës kundër pastrimit të parave. Ato kanë rezultuar plotësisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se investitorët nuk duhet të penalizohen për një çështje që lidhet me dyshimet mbi pronësinë e mëparshme të truallit dhe se ata kanë vepruar në përputhje me ligjin.

Sipas tij, bllokimi i transaksionit për investitorët do të ishte i padrejtë, ndërsa verifikimi i të drejtave të pronësisë është kompetencë e organeve hetimore. Kryeministri shtoi se hetimi mund të shërbejë për të sqaruar përfundimisht statusin juridik të pronës, pa penguar vazhdimin e investimit.

“Investitorët janë në të drejtën e tyre. Bllokimi i transaksionit për ta do të ishte arbitrar dhe negativ. Ndërkohë, bllokimi i kalimit të parave te personi për të cilin ekzistojnë dyshime është një çështje që i takon organit hetimor dhe procedurave ligjore. Unë e konsideroj këtë situatë pozitive edhe për faktin se investimi vazhdon, ndërsa pronarët e rinj janë të ligjshëm. Nëse hetimi do të nxjerrë një tjetër realitet lidhur me origjinën e pronës, atëherë personat që kanë të drejtë ligjore mbi të do të mund të përfitojnë kompensimin përkatës. Në fund, të gjitha palët mund të marrin atë që u takon sipas ligjit, me përjashtim të atyre që mund të kenë mashtruar”, deklaroi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme