Shqipëria e mbyll me humbje, Kane ndëshkon kuqezinjtë

Shqipëria e ka mbyllur me humbje aventurën e saj në kualifikueset e Botërorit 2026 duke u mposhtur nga Anglia me rezultatin 2-0, dy gola të shënuar nga Harry Kane.
Një humbje pa pasoja për kuqezinjtë, të cilët zbritën në fushën e “Air Albania” për këtë sfidë me biletën e play off të siguruar që në ndeshjen e mëparshme, atë me Andorrën.
Në pjesën e parë të besuarit e trajnerit Silvinho zhvilluan një lojë mjaft të mirë, ndërsa Srakosha u tregua i pakalueshëm në raste e krijuara nga anglezët.
Pjesa e dytë nisi me mundësi shënimi për kuqezinjtë, Laçi, Hoxha dhe Bajrami kishin raste të mira, por finalizimi nuk ishte në nivelin e kërkuar.
Anglëzët morën situatën në dorë dhe në minutën e 74-ët, Kane nga afër arriti të mposhtë Strakoshën, ndërsa 8 minuta më vonë dyfishoi rezultatin me një gjuajtje me kokë.
Në minutat e fundit kuqezinjtë humbën shërbimin e Brojës të dëmtuar, ndërsa anglezët administruan rezultatin për një mbyllje perfektë të këtyre kualifikueseve: të gjitha fitore, asnjë gol i pësuar.

Shqipëri-Angli 0-2
Shënues: Kane 74′, 82′
Mbyllet sfida…
82’ – Kane shënon përsëri në portën e mbrojtur nga Strakosha, një top i ardhur nga e majta e sulmit është shfrytëzuar maksimalisht nga sulmuesi i Bajernit, i cili ka goditur saktësisht me kokë.
81’ – Gjimshiti tenton me një gjuajtje me kokë portën angleze, por topi përfundon shumë larg kuadratit.
74’ – Pas ekzekutimit të një goditje këndi, anglezët kalojnë në avantazh me anë të Harry Kane.
67’ – Pas një zbritja të rrezikshme nga Hoxha nga e majta e sulmit, topi ka përfunduar në këmbët e Bajramit, por goditja e tij është mjaft e gabuar.
65’ – Saka shfaqet në zonën kuqezi, por goditja e tij është pritur nga Strakosha.
57’ – Eze shfaqet i vetëm në zonën kuqezi, por Strakosha është në lartësinë e duhur me ndërhyrjen e tij.
51’ – Mundësia më e mirë për kuqezinjtë. Bajrami nga e djatha ka bërë gjithçka në mënyrën e duhur, për të shërbyer më pas për Hoxhën, i cili i vetëm ka goditur, por mjaft e lehtë për portierin Henderson.
50’ – Arbër Hoxha shfaqet përsëri rrezikshëm, godija e tij është pritur me vështirësi nga portieri anglez.
47’ – Qazim Laçi provon portën angleze pas topit të dhënë nga Balliu, por goditja e tij është mjaft e lehtë.
Mbyllet në barazim pa gola 0-0 pjesa e parë e sfidës Shqipëri-Angli në “Air Albania”. Kuqezinjtë bënë një paraqitje shumë të mirë në 45 minutat e para, duke u përballur si të barabartë me anglezët.
41’ – Arbër Hoxha zbret rrezikshëm nga e majta e sulmit, por goditja e tij është devijuar në goditje këndi.
37’ – Quansah godet rrezikshëm me kokë, por Strakosha përsëri është në lartësinë e duhur.
36’ – Nga njëra portë në tjetrën, Bowen shfaqet rrezikshëm në zonën kuqezi, por goditja e tij është ndalur mrekullisht nga Srakosha.
29’ – Aksion i rrufeshëm i kuqezinjve, anglezët kapen në befasi, por Uzuni është në pozicion jashtë loje.
26’ – Ndërrim i detyruar te kuqezinjtë, Hysaj largohet i dëmtuar, në vend të tij aktivizohet Ivan Balliu.
18’ – Hysaj bën gjithçka bukur, por goditja e tij ka përfunduar mbi traversë.
16’-Rice shfaqet edhe njëherë rrezikshëm para portës së mbrojtur nga Srakosha, por goditja e tij përfundon mbi traversë.
7’ – Aksion i anglezëve, Kane kërkon Rice në zonën kuqezi, por Strakosha tregohet i vëmendshëm duke mbërthyer topin.
6’ – Goditje këndi për kuqezinjtë, e ekzekutuar nga Asllani, por mbrojtja angleze ka larguar rrezikun.
4’ – Anglia jep sinjalin e parë të rrezikshëm, Rice gjuan në drejtim të portës kuqezi, por Strakosha tregohet i kujdesshëm.
Ka nisur sfida e kuqezinjve me Anglinë, e fundit në këto kualifikuese të Boërorit 2026.
Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Gjimshiti, Asllani, Bajrami, Uzuni, Laçi, Aliji, Ismajli, Ramadani, Hoxha. Trajner: Silvinho.
Anglia: Henderson, Quansah, Stones, Burn, O’Reilly, Rice, Wharton, Bellingham, Bowen, Eze, Kane. Trajner: Tuchel
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




