Lufta në Ukrainë-Kim Jong Un: Rusisë do i dërgojmë trupa dhe armë

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka deklaruar se ai është i gatshëm të ndihmojë Rusinë në çdo përpjekje të Moskës për të zgjidhur luftën në Ukrainë.
Këtë deklaratë Kim Jong Un e bëri gjatë takimit me kryediplomatin rus Sergei Lavrov, teksa ky i fundit zhvilloi një vizitë tre-ditore në Korenë e Veriut.
Nga ana e saj Koreja e Veriut ka deklaruar se do të sigurojë trupa dhe armë për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ka premtuar më shumë mbështetje ushtarake pasi Moska përpiqet të bëjë përparime në këtë luftë.
Kim u takua me Lavrovin në qytetin lindor bregdetar të Wonsan, ku ministrat e Jashtëm të dy vendeve zhvilluan dialogun e tyre të dytë strategjik, duke u zotuar për bashkëpunim të mëtejshëm nën një traktat partneriteti të nënshkruar vitin e kaluar që përfshin një pakt të ndërsjellë të sistemit të mbrojtjes.
Kim i bëri të ditur Lavrovit hapat e ndërmarrë nga “aleatët në përgjigje të gjeopolitikës globale që do të kontribuojnë shumë në sigurimin e paqes dhe sigurisë në të gjithë botën”, raporton agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut KCNA.
“Kim Jong Un riafirmoi se KPRK-në [Republika Popullore Demokratike e Koresë] është e gatshme të mbështesë pa kushte dhe të inkurajojë të gjitha masat e marra nga udhëheqja ruse në lidhje me trajtimin e kauzës rrënjësore të krizës ukrainase”, raporton KCNA.
Lavrov më parë mbajti bisedime me homologun e Koresë së Veriut, Choe Son Hui, në Wonsan, dhe deklaruan mbështetje për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të vendeve të njëri-tjetrit.
Më vonë të dielën, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Veriut tha në një deklaratë se ishte e gatshme të ndërmarrë veprime ushtarake për të luftuar çdo kërcënim të sigurisë, në një paralajmërim kundër Koresë së Jugut, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara pas një stërvitje ajrore të këtyre të fundit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



